“Kremi i diellit duhet të jetë i aksesueshëm nga të gjithë njerëzit, ashtu siç ishte dezinfektuesi i duarve gjatë pandemisë,” – thotë një grua që po përballet me kancer të lëkurës në fazën e katërt.
Charlotte Killeya nga Sheffield u diagnostikua me melanomë në vitin 2020 dhe që prej asaj kohe ka ndërmarrë një fushatë për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rreziqet që sjell ekspozimi i tepërt ndaj diellit.
Ajo u ka bërë thirrje autoriteteve që të heqin TVSH-në për kremin e diellit dhe të mundësojnë shpërndarjen e tij në hapësira publike.
“Ka njerëz që nuk e përballojnë dot blerjen e kremit të diellit,” thotë znj. Killeya. “Jam e vendosur që të gjej mënyra për ta bërë atë më të aksesueshëm. Për shembull, pse të mos vendosen kremëra dielli në ambientet e jashtme të kafeneve, restoranteve apo bareve? Gjatë pandemisë, këtë e bëmë me dezinfektuesin për duar.”
“Nuk po flasim që secilit t’i jepet një shishe krem,” shton ajo. “Por të paktën të ketë disa dozatorë në zona publike, që nëse dikush e ka harruar kremin, ta ketë mundësinë ta përdorë.”
Në qershor 2023, qeveria holandeze nisi një program ku kremi kundër diellit ofrohej falas në shkolla, universitete, festivale, parqe, ambiente sportive dhe hapësira publike të hapura.
Në qytete të ndryshme në Australi janë ndërmarrë nisma të ngjashme, të shoqëruara me sloganin e njohur “Slip, Slap, Slop” (Vishu, Mbuloje, Lyeje).
Znj. Killeya zbuloi për herë të parë melanomën në shpatull, pesë vite më parë, dhe beson se kanceri mund të ketë lidhje me një djegie të fortë që kishte pësuar në fëmijëri në të njëjtin vend.
“Njerëzit nuk e kuptojnë se mund të digjesh edhe kur është me re. Kam marrë një djegie me flluska në shpatull kur isha fëmijë, në një ditë me re në bregdet,” rrëfen ajo.
“Asnjë nga familjarët nuk u dogj, vetëm unë. Dhe melanoma u shfaq pikërisht aty. Mund të jetë rastësi… por ndoshta jo.”
Në shkurt të këtij viti, ajo përfundoi dy vite imunoterapi në Spitalin Weston Park të Sheffield-it, pas më shumë se pesë vite trajtimesh për melanomë që ishte përhapur në mushkëri, nyje limfatike dhe tru.
Për shkak të trajtimeve, ajo ka zhvilluar artrit reumatoid dhe kolit.
“Mos e teproni me diellin”
“Kanceri më ka ndryshuar jetën në shumë mënyra,” thotë ajo. “Por falë trajtimeve dhe mjekëve, jam ende këtu. Ekipi onkologjik është i jashtëzakonshëm dhe spitali është si shtëpi – të gjithë më njohin me emër.”
Sot, znj. Killeya bashkëpunon me organizatën bamirëse Melanoma Focus për të rritur ndërgjegjësimin mbi melanomën.
Sipas kësaj organizate, 54% e banorëve të Sheffield-it digjen nga dielli të paktën një herë në vit.
Gjithashtu, 29% e tyre pranojnë se rrallë ose kurrë nuk përdorin krem dielli gjatë verës në Mbretërinë e Bashkuar.
“Vetëm pesë djegie gjatë jetës mund të dyfishojnë rrezikun për të zhvilluar melanomë,” paralajmëron Killeya. “Shijojeni diellin, por mos e teproni.Dhe nëse vini re ndonjë shenjë të çuditshme në lëkurë, mos e neglizhoni – shkoni menjëherë ta kontrolloni. Sa më herët, aq më mirë.”
Një përfaqësues i Departamentit për Shëndetësi dhe Kujdes Social deklaroi se kremi i diellit është i përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme nga NHS për disa diagnoza specifike.
“Kremi me mbrojtje të lartë (SPF) jepet pa TVSH nëse shpërndahet nga farmacisti për këta pacientë,” tha ai.
“Fatkeqësisht, shumë pacientë me kancer, përfshirë ata me kancer të lëkurës, presin për një kohë të gjatë për trajtim. Ne jemi të përkushtuar të ndryshojmë këtë situatë, duke kaluar nga kujdesi ndaj sëmundjes në fokusin te parandalimi.
Përmes Planit Kombëtar për Kancerin, synojmë të përmirësojmë çdo aspekt të trajtimit, duke reduktuar ndjeshëm numrin e jetëve të humbura nga kanceri në dhjetë vitet e ardhshme.”
Burimi: BBC