Nga aplikacionet edukative deri te videot në YouTube para darkës, ekranet janë bërë pjesë e pandarë e jetës së përditshme familjare.
Por ndërkohë që përdorimi i pajisjeve digjitale rritet çdo ditë, lind një pyetje e rëndësishme: si ndikon kjo në zhvillimin e trurit të fëmijëve?
A është koha para ekranit thjesht një mjet modern i të mësuarit apo po e ndryshon rrënjësisht mënyrën si formohet dhe funksionon truri i tyre?
Dr. Samir Shah, psikiatër dhe drejtor mjekësor në Spitalin Priory në Altrincham, thekson se përdorimi i shpeshtë i ekraneve mund të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin dhe funksionimin e trurit të fëmijës.
“Studimet kanë treguar se ekspozimi i rregullt – dhe veçanërisht ai i tepruar – ndaj ekraneve mund të ndikojë në strukturën fizike të trurit, në zona që lidhen me kujtesën, planifikimin dhe mënyrën si pjesë të ndryshme të trurit ndërveprojnë mes tyre.”
Kjo lidhje e brendshme, që Dr. Shah e quan “rrjet i komunikimit të trurit”, mund të krahasohet me devijimin e trafikut për shkak të punimeve në rrugë – krijohen rrugë të reja që mund të çojnë në pasoja të paparashikuara.
Koha e tepërt para ekranit është lidhur me:
- përqendrim më të dobët,
- vështirësi në zgjidhjen e problemeve,
- dhe ulje të aftësisë për të bërë shumë detyra njëkohësisht.
“Është si të stërvitësh vetëm një grup muskujsh, ndërsa muskujt e tjerë të rëndësishëm – si përqendrimi, vetëkontrolli dhe durimi – mbeten të pazhvilluar.”
Çfarë roli luan dopamina në këtë proces?
“Ekranet stimulojnë lirimin e dopaminës – substancës që na jep ndjesinë e kënaqësisë,” shpjegon Dr. Shah.
Kjo krijon një cikël ku fëmijët kërkojnë gjithnjë më shumë ekran për të ndier të njëjtin efekt.
“Është si të kontrollosh derën vazhdimisht me shpresën se do të vijë dikush interesant. Me kalimin e kohës, aktivitetet reale duken më pak tërheqëse dhe kënaqëse.”
Për pasojë, shumë fëmijë dhe adoleshentë fillojnë të kenë vështirësi në krijimin e marrëdhënieve të thella sociale.
A ndikon koha para ekranit në shëndetin mendor?
“Fëmijët dhe adoleshentët që kalojnë më shumë se katër orë në ditë para ekranit janë më të rrezikuar për të zhvilluar ankth dhe depresion,” paralajmëron Dr. Shah.
Stimulimi i vazhdueshëm i ekranit e mbingarkon trurin me dopaminë, por nuk ofron përmbushje emocionale.
Përveç kësaj, fëmijët mund të kenë më shumë vështirësi në:
- përballimin e zhgënjimit apo nervozizmit,
- kuptimin e shenjave sociale,
- dhe ushtrimin e aftësive si empatia dhe zgjidhja e konflikteve.
A është truri i fëmijëve më i ndjeshëm sesa ai i të rriturve?
“Truri i fëmijëve është si një sfungjer që përthith çdo përvojë,” thotë Dr. Shah.
“Veçanërisht para moshës pesë vjeç dhe gjatë viteve të para të adoleshencës, zhvillimi i trurit është shumë i shpejtë. Në këtë periudhë, ndikimi i ekranit mund të jetë më i thellë dhe më afatgjatë se te të rriturit.”
A shfaqen ndryshime të dukshme në tru?
“Skanimet MRI kanë treguar ndryshime në trurin e fëmijëve që kalojnë shumë kohë para ekranit,” thotë Dr. Shah.
Disa nga ndryshimet përfshijnë:
- zona më të holla në pjesë të trurit që lidhen me marrjen e vendimeve,
- lidhje të ndryshuara në rajonet që kontrollojnë përqendrimin,
- më pak substancë gri në zonat përgjegjëse për gjuhën.
“Këto ndryshime nuk janë domosdoshmërisht dëmtuese, por tregojnë që truri po përshtatet në mënyra jo gjithmonë të shëndetshme.”
Si të menaxhojmë kohën para ekranit?
“Sekreti është balanca dhe menaxhimi i ndërgjegjshëm,” thotë Dr. Shah.
Ai sugjeron të:
- inkurajoni lojën në natyrë,
- kaloni kohë në familje pa telefona apo tableta,
- caktoni orare fikse pa ekrane – si para gjumit.
Gjithashtu, lloji i përmbajtjes ka rëndësi – jo çdo përdorim i ekranit ka të njëjtin ndikim. Një orë leximi në aplikacion nuk është e barabartë me një orë videot në TikTok./ Shendeti.com.al / Burimi: Independent