EMISIONI VETTING
 

Pikët maksimale pavarësisht mungesës së transparencës

Në vitin 2019, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për lidhjen e një kontrate qiraje me tarifën simbolike prej “1 euro” ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe shoqërisë “ALLIANCE RESOURCE” shpk, në kuadër të nismës “Shqipëria 1 euro”. Kjo kompani me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar në vitin 2017, ka dy pronarë që zotërojnë nga 50% të aksioneve secili, Mbarime Koroçi shtetase shqiptare dhe Wen Ming, lindur dhe banues në Guangxi të Kinës, ç’ka e bën këtë një shoqëri me kapital të përbashkët shqiptaro-kinez.

Përmes kësaj nisme, “ALLIANCE RESOURCE” ka përfituar të drejtën e shfrytëzimit për 20 vite të një pasurie publike me sipërfaqe totale prej 57,390 m2, me qëllimin për ngritjen e një linje prodhimi të oksideve të zinkut, hekur-nikelit dhe nikel-silikatit. Sipas detyrimit të shpallur nga Agjencia e Prokurimit Publik kompania ka ofruar një vlerë mujore qiraje prej afro 5.6 milionë lekësh.

Kjo pasuri është përfshirë edhe më herët në një procedurë prokurimi, sërish me të njëjtën kompani si ofertues, por është skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Por në vitin 2019, po ky komision i ka hapur rrugën nënshkrimit të kontratës pasi ka vlerësuar se kompania përmbushte të gjitha kriteret duke e vlerësuar me 100 pikë të plota.

Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se kompania nuk i ka përmbushur plotësisht kriteret për të marrë pikët maksimale, për shkak të mungesës së transparencës në disa pika kyçe që lidhen me burimet financiare që do të çonin para projektin. Bazuar në marrëveshjen ndërmjet ortakëve të kompanisë, financimi i projektit do të bëhet përmes kapitalit të vetë shoqërisë dhe kontributeve nga aktivitetet e tjera të ortakëve.

Pala kineze, e përfaqësuar nga Wen Ming, do të mbulojë investimet për teknologjinë dhe pajisjet për prodhim, me një vlerë të deklaruar prej rreth 218 milionë lekësh, të cilat do të sigurohen nga aksionet që ai zotëron në një uzinë në Kinë. Ndërkohë që pala shqiptare, e përfaqësuar nga Mbarime Koroci, ka deklaruar një investim në vlerën e rreth 122 milionë lekëve, pjesërisht të ardhura nga aktiviteti i shoqërive familjare “Koroci Metal’s” dhe “Koroci”, të cilat janë në pronësi të bashkëshortit të saj, Ylmi Koroci.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, një nga problematikat kryesore ka qenë mungesa e dokumentacionit zyrtar që vërteton lidhjen e bashkëpunimit ndërmjet “ALLIANCE RESOURCE” dhe “Koroci Metal’s” shpk, ku kjo e fundit, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton me status të pezulluar. Mbarime Koroci bashkëpronare dhe administratore e shoqërisë “ALLIANCE RESOURCE” është shprehur se kompania familjare do të angazhohej në kryerjen e punimeve për ngritjen e linjës së prodhimit, por nuk ka paraqitur ndonjë marrëveshje apo kontratë që përcakton vlerën e këtij angazhimi financiar.

Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e parashikimeve të qarta në planin e biznesit lidhur me përfitimet që do të ketë Buxheti i Shtetit pas realizimit të investimit. Konkretisht, mungojnë të dhënat mbi tatimin mbi fitimin, rritjen e punësimit në zonë, të ardhurat nga pagat, kontributet në sigurimet shoqërore si dhe tatimi mbi të ardhurat personale, kritere që argumenojnë favorizimet e këtyre shoqërive me kontratën simbolike “1 euro”.

Sipas ekspertit Gjokutaj, në këtë nismë ka dominuar biznesi vendas pasi ka qenë më i përshtatur, më efektiv për arsye të njohjes së rregullave të brendshme të cilat kanë brenda dhe ato problematika që ka në përgjithësi ekonomia e shoqëruar nga informaliteti, nga pjesa e korrupsionit dhe mungesa e konkurrueshmërisë.

Problemet e evidentuara nga KLSH

Në vitin 2017, Kontrolli i Lartë i Shtetit realizoi një auditim mbi procesin e dhënies me qira të pasurisë publike, duke identifikuar disa mangësi kritike që e minuan efektivitetin e kësaj nisme. Një prej gjetjeve kyçe ishte mungesa e justifikimit të kontratave me tarifë simbolike prej “1 euro”, pasi ato nuk mbështeteshin në analiza të detajuara ekonomike dhe financiare që do të garantonin vazhdimësinë e aktiviteteve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Në disa raste, subjekte që përfitonin këto kontrata nuk dispononin të dhëna mbi prodhimin vjetor, të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin, duke lënë hapësirë për dyshime mbi qëndrueshmërinë e tyre financiare. Për më tepër, mungonin informacione mbi burimet e financimit të investimeve, si dhe mbi mënyrën se si do të realizoheshin investimet për krijimin e vendeve të punës, një prej kritereve kyçe të kësaj nisme. Në disa raste, ishte shpallur fitues vetëm një subjekt, i cili kishte deklaruar investime minimale, duke mos justifikuar krijimin e vendeve të reja të punës.

Këto mangësi çuan në përfitime të padrejta për 10 shoqëri, duke rezultuar në humbje për buxhetin e shtetit prej rreth 2.5 miliardë lekësh. Për të adresuar këto probleme, KLSH rekomandoi ndryshime urgjente në kriteret e vlerësimit për dhënien me qira të pasurisë publike, duke i dhënë prioritet investimeve dhe punësimit të qytetarëve. Gjithashtu, shoqëritë duhet të deklarojnë burimet e financimit të investimeve, duke siguruar që këto fonde të kalonin vetëm nëpërmjet kanaleve bankare për të shmangur abuzimet, pavarësisht se nisma në vetvete ka si qëllim favorizimin e disa kompanive.

Sipas data analistes Anila Salianji, problematika kryesore e nismës “Shqipëria 1 euro” është që të gjitha asetet që kanë qenë në dispozicion dhe mund të privatizoheshin nuk kanë qenë kurrë të publikuara.

“Nëse merret në shqyrtim e gjithë lista e kompanive që kanë fituar, na lind e drejta që në këtë kontekst, këta njerëzit që përfitojnë kanë lidhje të afërta me pushtetin”, u shpreh për “Vetting” data analistja Salianji.

Duke u kthyer pas në kohë, vërehet se këto rekomandime nuk janë zbatuar plotësisht. Në auditimin e vitit 2021, KLSH-ja ka konstatuar se kriteret e konkurrimit, si burimi i financimit të investimeve, shpesh nuk janë plotësuar nga qiramarrësit, ndërkohë që komisionet e vlerësimit nuk kanë kryer analizat e nevojshme ekonomiko-financiare të dokumentacionit. Kjo ka çuar në një performancë të dobët në menaxhimin e pasurisë publike dhe në rritjen e dëmeve financiare.

Në disa raste, subjekte qiramarrëse nuk kanë plotësuar kriteret e konkurrimit, siç është deklarimi i burimit të financimit të investimeve, duke vënë në pikëpyetje integritetin e procesit.

Një tjetër nismë e ngjashme e sapomiratuar është “Paketa e Maleve”, një projekt i qeverisë shqiptare në kuadër të “Programit të integruar për zhvillimin rural – Programi i 100 fshatrave” dhe në kuadër të nismës “Investo në tokën tënde – Paketa e maleve”.

Pra, është një projekt i ngjashëm me “Shqipëria 1 Euro”, “100 fshatrat”, apo “Investimet Strategjike” dhe duket se ndryshojnë vetëm nga emri, por qëllimi i është i njëjtë, marrja dhe shfrytëzimi i pasurive publike për t’ia dhënë një pakice me qëllim vetëm interesat privatë.

Sipas data analistes Salianji, edhe paketa e maleve është një paketë e cila po ashtu do të ndjek të njëjtën politikë, shumë prona do të vihen në përdorim me tarifë simbolike 1 euro.

Problemi me ndryshimin në prag të fushatës, ku vëmendja e publikut dhe institucioneve ligjzbatuese është  e përqendruar me zgjedhjet lidhet me faktin se këto troje dhe prona publike do të privatizohen me çmimin e referencës.

Harta referencë e vlerës së tokës është miratuar në vitin 2016 dhe aktualisht për bashkitë bregdetare çmimet e saj lëvizin nga 4 mijë deri në 5 mijë lekë për metër katrorë ndërkohë që çmimet në tregun real janë shumë herë më të larta.

Nëse i referohemi kësaj harte për bashkinë Himarë, çmimi referencë është 4350 lekë ose 43 euro për metër, në Orikum 5530 lekë ose 55 euro për metër.

Pra, këto zona ku çmimi i tregut është shumë herë më i  lartë, duke ua “falur” personave që janë pranë oborrit qeveritar. Ky vendim i ka hapur rrugën privatizimit të bregdetit shqiptar edhe tek Investitorët Strategjikë, që kanë përfituar pronë shtetërore me qira 1 euro.

“Në letër, programi ‘Shqipëria 1 euro’ ishte një shans për zhvillim. Në realitet, ai u kthye në një skemë për t’i kaluar pronat publike në pak duar – në mënyrë të heshtur, por të organizuar. Sot, trojet me vlerë strategjike janë zhdukur nga harta e shtetit dhe janë bërë pasuri të ‘investitorëve strategjikë’ që nuk investuan as strategji, as zhvillim. A do ketë drejtësi? Apo kjo do të jetë thjesht një tjetër dosje që mbyllet bashkë me kutinë e votimit? Vetëm koha do ta tregojë. Por historia është shkruar tashmë. Dhe ne… jemi këtu për ta dokumentuar.”

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko