Kristian Kivu ende nuk është zyrtarisht trajner i Interit, por puna ka nisur pa humbur kohë. Ish-mbrojtësi rumun, që për shumë vite veshi fanellën zikaltër si lojtar, po përgatitet për sfidën e parë të madhe, Botërori i Klubeve, që fillon për Interin me ndeshjen kundër Montereit, natën mes 17 dhe 18 qershorit. Me më pak se 10 ditë në dispozicion, çdo minutë është thelbësore për ndërtimin e një skuadre të gatshme për garën globale. Prandaj, puna e Kristian Kivusë pritet të fillojë sot.
RRUGËTIMI- Kivu vjen nga një rrugëtim i suksesshëm në sektorin e të rinjve të Interit dhe tani i është dhënë përgjegjësia për të drejtuar skuadrën e parë në një prej turneve më të rëndësishëm të verës. Ai nuk është i huaj për ambientin, pasi ka frekuentuar qendrën stërvitore të Pinetinës, është në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit dhe tashmë ka nisur të komunikojë edhe me lojtarët, pavarësisht angazhimeve të tyre me kombëtaret. “Nuk dua të gaboj në nisje”, ka qenë mesazhi i nënkuptuar nga lëvizjet e para të teknikut rumun, që po përpiqet të ndërtojë qetësisht, por me intensitet, grupin që do ta përfaqësojë Interin në arenën ndërkombëtare.
LISTA- Lista përfundimtare e lojtarëve do të dorëzohet të martën, që është afati i fundit për regjistrim në FIFA. Disa emra janë tashmë të sigurt, mes tyre edhe dy vëllezërit Espozito, Pio, që humbi Europianin U21, për shkak të një dëmtimi (jo mjaftueshëm serioz për të humbur Botërorin), dhe Sebastiano, që nuk u ble nga Empoli. Valentin Karboni, i rikuperuar pas dëmtimit të tetorit, është një tjetër opsion në sulm për Kivunë, ndërsa në mbrojtje do të jetë edhe Tomas Palasios, i cili nuk shkëlqeu gjatë huazimit te Monza. Kapiteni Lautaro Martinez do t’i bashkohet skuadrës në Los Anxhelos më 13 qershor, bashkë me lojtarët e tjerë që janë me përfaqësueset kombëtare. Deri atëherë, Kivu po shfrytëzon çdo moment për të ndërtuar një qasje të qartë dhe koherente për sfidën që e pret.
STAFI- Në orët në vijim do të përfundojë edhe formimi i stafit teknik të Kivusë. Deri tani, janë konfirmuar ndihmësi Anxhelo Palombo, taktiku Mario Çeki dhe përgatitësi atletik Stefano Rapeti. Është një grup i vogël, por i përzgjedhur me kujdes, që do ta ndihmojë trajnerin të përballojë sfidat intensive të turneut.
FILOZOFIA- Ndonëse Kivu është njohur për fleksibilitetin e tij taktik gjatë punës me të rinjtë dhe shpesh preferon mbrojtjen me katër, për momentin ai do të mbështetet në sistemin 3-5-2, një skemë që e ka karakterizuar Interin në vitet e fundit. Është një mënyrë për të ruajtur stabilitetin dhe për të mos tronditur menjëherë ekuilibrat e skuadrës. Kivu e ka pritur këtë moment dhe tani është gati ta kapë me të dyja duart. Ai është përshkruar si një trajner me dy fytyra, i vendosur dhe i fortë në dhomat e zhveshjes, por elegant dhe komunikues në publik, një pasqyrë e saktë e asaj që ishte edhe si futbollist.