Aventura e Marko Xhiampaolo si trajner i Leçes ka mbaruar. Ishte klubi që e bëri të ditur këtë lajm përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Leçe njofton se sot ka ndërprerë marrëdhënien kontraktuale me zotin Marko Xhiampaolo, të cilit i shprehim falënderimet tona për punën e kryer me përkushtim të madh dhe urimet tona më të mira për fat të mbarë profesional”, thuhet në njoftim.
Tani ka filluar loja e hamendësimeve për zëvendësuesin e tij dhe favoriti është Davide Nikola. Trajneri i cili është i lirë pas largimit nga Kaljari vlerësohet për qasjen e tij praktike dhe të drejtpërdrejtë, me një futboll të bazuar në agresivitet dhe vertikalizime. Ndër emrat që po merren në konsideratë është edhe Eusebio Di Françesko, i cili së fundmi ra nga kategoria me Venecian.