“Do të ketë vetëm një herë në jetën time kur do të mund të stërvis Realin e Madridit dhe sot është dita e parë”, tha Ksabi Alonso në konferencën e tij të parë për shtyp në Valdebebas, përpara se të përballej me aventurën më komplekse të karrierës së tij të shkurtër si trajner (në tri sezone ai ka kaluar nga Segunda me Real Sociedad B në “Bernabéu”).Me Kupën e Botës për Klube, si të parën e një liste të gjatë sfidash, trajneri nga Tolosa kthehet njëmbëdhjetë vjet më vonë me misionin e ringjalljes nga stoli të një ekipi që është shkatërruar këtë sezon. Shumë detyra përpara Ksabit dhe ai ia ka nisur dje nga puna që në orën 7:00 të mëngjesit, 4 orë përpara se të niste zyrtarisht seancën e parë stërvitore të ekipit.
Epoka e Ksabi Alonsos ka nisur dje me një numër të kufizuar lojtarësh në dispozicion (Fran Garsia, Lukas Vaskez, Sebajos dhe Asensio), lojtarët e dëmtuar (Militao, Karvahal, Kurtua, Valverde, Rodrigo, Rydiger, Mendi, Alaba dhe Kamavinga), nëntë “fëmijët” e Alonsos (Gonzalo, Viktor Munjoz, Çema, Jusi, Ramon, Fortea, Aguado, F.Gonzalez dhe Mestre) dhe duke pritur që lojtarët ndërkombëtarë të kthehen nga angazhimet me ekipet e tyre kombëtare përpara se të udhëtojnë për në Majami më 13 qershor.
IDENTITET I QARTË LOJE – Imponimi i një stili loje që kombinon prekjen dhe zotërimin me presion të lartë kur humbet topi do të jetë detyra kryesore e trajnerit spanjoll. Një stil i qartë loje: vertikalitet, mbërritje të shpejta në zonën kundërshtare dhe një ritëm i lartë që kërkon mendim të shpejtë nga lojtarët për të ekzekutuar të gjitha këto kombinime pothuajse automatikisht. Arritja e automatizmave të nevojshme, në mënyrë që të gjithë lojtarët të lëvizin pa menduar, por gjithmonë duke gjetur hapësirën optimale.
ROLI I SULMUESVE – Është e vërtetë që puna duhet të jetë kolektive, por të parët që ushtrojnë presion janë gjithmonë lojtarët sulmues. Dhe për të krijuar stilin agresiv, dinamik dhe me intensitet të lartë të lojës, aq të nevojshëm në futbollin e sotëm, presioni i vazhdueshëm pas humbjes së zotërimit të topit i lodh fizikisht kundërshtarët, duke bërë që gabimet e tyre të rriten dhe performanca e tyre të bjerë me kalimin e minutave. Këtu hyn në lojë detyra e ripërcaktimit të disa roleve të sulmuesve.
QËNDRUESHMËRIA NË MBROJTE – Një nga parimet kryesore mbrojtëse të ekipeve të Alonsos është ruajtja e një strukture kompakte si në mbrojtje ashtu edhe në mesfushë, ku pozicioni dhe hapësira janë çelësi për të kuptuar gjithçka. Ardhjet e Arnold dhe Huijsen ngjallin optimizëm, por arritja e një kompaktësie do të jetë thelbësore. 76 golat e pësuar në 62 ndeshjet e luajtura deri më sot, janë shifra alarmante për Realin. Prandaj, themeli i suksesit të Alonsos duhet të bazohet në efektivitetin e sistemit të tij mbrojtës.
INFERMIERIA – Nuk do të ketë ndonjë kërkesë të rëndë fizike në këto ditë të para. Fokusi do të jetë në zbatimin e stilit të lojës dhe metodologjisë së stërvitjes që Ksabi dëshiron të zhvillojë në Madrid. Do të jetë një punë me staf të vogël, por është thelbësore që trajneri të njohë skuadrën e tij, klubin dhe mjedisin përreth. Dita e parë do të shërbejë për të vlerësuar infermierinë dhe për të parë mirë fushën.
RËNDËSIA E AKADEMISË – Një nga kërkesat më të mëdha nga tifozët e Realit është që lojtarët e dalë nga skuadrat zinxhir të klubit të kenë më shumë përfshirje. Me ardhjen e trajnerit të ri, akademia e të rinjve do të arrijë një nivel të ri, të paktën kështu mendojnë në Valdebebas.
LEDJO SEFERKOLLI-