Hijet e trukimeve kthehen përsëri në Serinë A, me modën tashmë të përhapur në shumë kampionate ku po ndeshen raste ku futbollistët ndëshkohen me karton të verdhë për të përfituar financiarisht. Dhe në fakt, në rastin në fjalë ka qenë pikërisht një kompani bastesh që ka denoncuar flukse të pazakonta për një rast të tillë.
Policia italiane ka bërë të ditur se ka mbyllur hetimet dhe ka përgatitur dosjen penale për portierin nigerian të Udinezes Maduka Okoje, i cili akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka ndikuar në ngjarjet e një ndeshjeje për të përfituar financiarisht nga bastet.
Ndeshja në fjalë i përket 11 marsit të vitit 2024 ndaj Lacios, ku Okoje është ndëshkuar me karton të verdhë për vonesa loje që në minutën e 63-të të takimit të përfunduar me shifrat 1-1. Nën hetim janë 4 persona, mes të cilëve pikërisht Okoje, të cilët akuzohen për mashtrim në dëm të kompanisë së basteve “Snaitech”.
Kompania në fjalë kishte sinjalizuar në polici fluks të pazakontë bastesh në eventualitetin që portieri do të ndëshkohej me të verdhë, që kuotohej me koeficientin 8. Thuajse të gjitha bastet ishin vënë në krahinën e Udines, duke sjellë fitime për rreth 120 mijë euro.
Ndërsa Okoje do të përballet me këtë çështje penale, paralelisht do të vijë edhe dënimi sportiv, për të cilin rrezikon 4 vite pezullim dhe një gjobë jo më pak se 50 mijë euro. Ndërkohë, vazhdojnë hetimet për të mësuar nëse një gjë e tillë ka ndodhur edhe më parë dhe nëse lojtarë të tjerë të Udinezes ishin në dijeni.