Damien Komoli, drejtor i ri i përgjithshëm i Juventusit, është prezantuar zyrtarisht me klubin bardhezi ditën e martë, por gjatë javës së parë në detyrë ka pasur një qasje të kujdesshme dhe të matur ndaj ambientit dhe punës.
Me mbështetjen e legjendës Xhorxho Kielini, drejtori francez ka zhvilluar takime me stafin teknik dhe lojtarët, duke filluar me trajnerin Igor Tudor, të cilit i ka dhënë mbështetje të plotë nga klubi dhe pronarët, duke garantuar që ai do të qëndrojë në krye të skuadrës edhe pas Kampionatit Botëror për Klube. Gjatë këtyre ditëve, Komoli ka mbyllur marrëveshjet e nisura nga paraardhësi Kristiano Xhuntoli, duke zgjatur huazimet e futbollistëve Konseisao nga Porto dhe Kolo Muani nga Parisi, si dhe ka finalizuar blerjen e mbrojtësit Pier Kalulu nga Milani. Megjithatë, puna e tij do të intensifikohet shumë në ditët në vijim, pasi ka ende çështje të rëndësishme për t’u zgjidhur.
RINOVIMET– Një nga prioritetet kryesore për Komolin është rinovimi i kontratave të disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të Juventusit. Më urgjente është situata e Ueston Mekenit, i cili ka kontratën në skadencë brenda pak më shumë se një viti. Pas tij, Federiko Gati, i cili pavarësisht kontratës deri në vitin 2028, kërkon një përmirësim që të pasqyrojë rolin e tij gjithnjë e më të rëndësishëm në skuadër dhe që të pengojë interesat e Napolit dhe klubeve nga Premier Liga. Një tjetër lojtar që do të ketë vëmendjen e drejtuesve, është Kenan Jildiz. Edhe pse ai sapo ka zgjatur kontratën deri në vitin 2029, për shkak të statusit si lojtar kyç, pronarët duan t’i rrisin ndjeshëm pagën, madje mbi dyfishin e asaj që përfiton aktualisht. Pjesa më e madhe e këtyre diskutimeve është nisur prej muajsh, por tani Komoli do të duhet të hapë sërish dialogun me agjentët dhe të mbyllë marrëveshjet.
VLAHOVIÇ- Në fokus është edhe situata e Dushan Vlahoviçit, sulmuesit serb që ka kontratë deri në vitin 2026 dhe një pagë prej 12 milionë eurosh neto në sezon, që konsiderohet jashtë parametrave të Juventusit. Me refuzimin e Vlahoviçit për të diskutuar një rinovim me pagë të shpërndarë në periudhë më të gjatë, klubi është i detyruar të kërkojë shitjen e tij. Futbollisti është kthyer në Kontinasa pas ndeshjes me kombëtaren e tij kundër Andorrës dhe së shpejti do të takohet me drejtuesit e rinj. Për sulmuesin janë shfaqur interesime nga Fenerbahçe, Gallatasaraj dhe Atletiko Madrid, por negociatat nuk kanë hyrë ende në fazë të avancuar. Në këtë kuadër, Kampionati Botëror për Klube mund të jetë një mundësi që edhe klube nga Premier Liga të rivlerësojnë mundësinë e transferimit të tij.
DREJTUESIT– Në ditët në vijim pritet të finalizohen emrat e dy drejtuesve të tjerë që do të bashkëpunojnë ngushtë me Damien Komolin dhe Kielinin. Bëhet fjalë për një drejtor sportiv dhe një drejtor teknik, të dyja profile të specializuara respektivisht në menaxhimin e tregut të transferimeve dhe në koordinimin e punës teknike, analitike dhe të skautingut të skuadrës. Kjo strukturë do të mbështesë Komolin, i cili gjatë karrierës së tij ka përvetësuar një metodologji të avancuar për analizën taktike dhe fizike të futbollistëve. Damien Komoli duket i vendosur të marrë në dorë fatet e një prej klubeve më të mëdhaja të futbollit italian dhe europian.