Milani është hedhur fuqishëm në merkato, për zëvendësuesin e Reijnders, të transferuar te Mançester Siti. Ndër lojtarët që janë piketuar nga drejtuesit kuqezinj, është edhe mesfushori me origjinë shqiptare, Ardon Jashari, i cili spikati te Klub Bryzh, në edicionin që sapo u mbyll.
Në lidhje me cilësitë e Jasharit, foli edhe eksperti belg, Vincenco Solito, i cili në një prononcim të dhënë për “Milan Neës.it”, deklaroi:
“Më pëlqen. Sigurisht, si të gjithë lojtarët e rinj dhe ata që vijnë nga ligat e vogla, ai është një lojtar që rrezikon. Më pëlqen si mesfushor, sepse është i fortë dhe di si të futet në hapësira. Di si ta mbrojë topin, luan si lojtar ekipi dhe mund të luajë si organizator. Ai di si të shënojë dhe ka një këmbë të majtë të mirë.
35 milionë euro? Çmimi i kërkuar është i lartë, pa dyshim. Ka dy mundësi: ose Bryzh po bën bllof ose ka oferta të tjera. Ai mund të krahasohet me punën që bën Lokateli te Juventusi. Domethënë, një mesfushor që ndonjëherë e vendos veten përpara mbrojtjes.
Një mesfushor që mbron, por kur është e nevojshme ecën përpara. Paradoksalisht, ai është më i plotë se Lokatelli, sepse le të kujtojmë se ai luan në kampionatin belg dhe është një lojtar i ri, i cili është në zhvillim e sipër”, deklaroi Solito.