Pedro do të jetë te Lacio edhe për një sezon tjetër. Sulmuesi ka rinovuar kontratën deri në qershor të 2026-ës dhe kjo është bërë e ditur nga vetë klubi bardhekaltër. “Lacio njofton rinovimin e kontratës së lojtarit Pedro Rodrigez, i cili do të qëndrojë me fanellën e bardhekaltërve deri më 30 qershor 2026. Kampioni i botës dhe i Europës, fitues i të gjitha trofeve kryesore ndërkombëtare të klubeve, Pedro ka qenë në gjendje të përfaqësojë vlerat e përvojës, ekuilibrit dhe përkushtimit brenda dhe jashtë fushës. Me fanellën e Lacios ai ka grumbulluar 176 paraqitje dhe 34 gola, duke u bërë një pikë referimi për grupin e ekipit. Rinovimi është pjesë e një logjike vazhdimësie dhe konkretësie: përvoja dhe besueshmëria e Pedros do të jenë burime themelore për t’u përballur me soliditet sezonin e ardhshëm”, shkruhet në profilin zyrtar të klubit të Serisë A.
Në sezonin që sapo përfundoi, Pedro shënoi 10 gola në Serie A, në 30 paraqitje, me një gol të shënuar çdo 109 minuta të luajtura. Në Ligën e Europës ai shënoi katër gola, të cilëve duhet t’u shtojmë edhe 3 asiste, në 12 paraqitje, ndërsa në Kupën e Italisë doli në fushë dy herë. Rikujtojmë që ai ishte lojtari që i hoqi titullin Interit nga duart për shkak të penalltisë që realizoi në javën e parafundit të kampionatit. Zikaltërit ngecën në barazimin 2-2 ndërsa gjithçka u vendos në javën e fundit ku Napoli u shpall kampion.