Me Kupën e Botës për Klube në kulmin e saj dhe tregun evropian të transferimeve të hapur përsëri, babai dhe agjenti i Nejmar po i trazon përsëri ujërat rreth ish-lojtarit të Barcelonës, i cili u rikthye te Santos në merkaton e dimrit, por është penguar nga disa probleme fizike.
Në një intervistë me L’Équipe, ai tha se një e ardhme në një klub të madh evropian nuk mund të përjashtohet: “Këtë javë do të shkojmë në Majemi për t’u takuar me disa klube. Duhet t’i dëgjojmë dhe pastaj të vendosim se çfarë të bëjmë. Po, ka klube evropiane të interesuara, disa prej tyre janë në Ligën e Kampioneve”, zbuloi babai i Nejmar, pa përmendur emra. “Ata e dinë që Nejmar është gati të ketë një sezon të shkëlqyer. Por edhe tregu brazilian është shumë interesant.”
Sipas babait të tij megjithatë, 33-vjeçari mund të vendosë të qëndrojë te Santos për një sezon tjetër, në mënyrë që të gjejë formën e tij më të mirë në prag të Kupës së Botës 2026. “Ne po vlerësojmë gjithçka,” shpjegon ai. “Ka një shans të mirë që ai të qëndrojë te Santos dhe unë po punoj drejt kësaj, megjithëse nuk përjashtojmë mundësinë e dëgjimit të ofertave të tjera. Vendimi përfundimtar varet nga ai.”
Së fundmi, ai përfundon me një vështrim mbi të ardhmen e ekipit kombëtar brazilian: “Tani po përgatitemi për një detyrë të vështirë, fitimin e Kupës së Botës. Ardhja e Karlo Ançelotit është pozitive, por pavarësisht se kush është në krye, duhet të punojmë. Ekipi ka cilësi dhe do të doja ta shihja djalin tim në fushë përkrah Vinicius, Rodrigo dhe Rafinja”.