Bajerni i Mynihut ka përmbushur me sukses detyrën e tij në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Kupës së Botës për Klube në SHBA – me një fitore 10-0 kundër klubit amator të Zelandës së Re, Okland Siti.Bavarezët kanë respektuar rolin e favoritit, ndoshta duke e “tepruar” disi ndaj një rivali që dukej si në botën e çudirave mes profesionistëve dhe të mëdhenjve në botën e futbollit për klube. Para se të niste edicioni i parë i Kupës së Botës për Klube në formatin e ri, bavarezët ishin renditur midis pretendentëve kryesorë për fitimin e trofeut së bashku me kampionët e Europës, PSG-në, Mançester Sitin, Realin e Madridit dhe Interin.
Por suksesi 10-0 që në start, pavarësisht dobësive të kundërshtarit, vetëm sa ka ushqyer edhe më shumë ambiciet e bavarezëve. Gazeta “Bild” ka renditur 10 arsye për se Bajerni mund t’i shkojë deri në fund turneut amerikan.
PRITSHMËRIA E MADHE – Që në ditën e parë të punës më 5 qershor, Bajerni ka qenë qartësisht i frymëzuar dhe i emocionuar për Kupën e Botës për Klube. Kjo u demonstrua jo vetëm nga golat e shumtë kundër Oklandit, por edhe nga festimet energjike më pas.
FINANCAT – Askush nuk mund ta mohojë se veç prestigjit, turneu i ri i organizuar nga FIFA ka joshur të mëdhenjtë e Europës edhe në aspektin financiar. Në analiza të ndryshme në Spanjë, Gjermani e me radhë, të gjithë janë të qartë: nga Kupa e Botës për Klube mund të fitohen aq shumë para sa nuk mund të fitohen edhe nëse fiton 6 herë radhazi titullin kampion në vendin përkatës. Përveç argëtimit, skuadra nga Mynihu ka edhe shumë para në lojë (deri në 110 milionë euro nëse fiton titullin) – një motivim i shkëlqyer shtesë!
KUJDESI I TRAJNERI KOMPANI – Jo vetëm lojtarët janë “zjarr” dhe punëtorë, por edhe stafi i udhëhequr nga Vinsent Kompani (39). Trajneri, madje, u përgatit me shumë kujdes për ndeshjen kundër amatorëve të Okland Sitit, duke përfshirë edhe analizën me video të kundërshtarit.
MYLER NË FORMË – Tomas Myler po luan ndeshjet e tij të fundit me Bajernin. Sulmuesi (35), i cili është gjithmonë i motivuar por në SHBA ka dy arsye shtesë: së pari, një titull i fundit për të përmbyllur 25 vitet e tij te bavarezët dhe së dyti, ai mund të tërheqë oferta të mira nga klube të tjera – veçanërisht në SHBA.
MOTIVIMI PËR TË ARDHMEN – Kandidatë për shitje si Kingsli Koman (29 vjeç / dy gola, një asist kundër Okland) dhe Sasha Boej (24 /një gol dhe një asist) po luftojnë veçanërisht fort për të treguar veten për një të ardhme te Bajerni – ose për në klube të tjerë nëse Bajerni do t’i nxjerrë në shitje.
TË RINJTË – Paraqitja e guximshme e sulmuesit Lenart Karl (17) në ndeshjen kundër Okland tregoi se përveç yjeve të afirmuar, Bajerni ka disa talente të rinj në skuadër që mund të ofrojnë freski dhe surpriza.
LIDERSHIPI I KIMISH – Mesfushori Joshua Kimish (30) po ushtron presion shtesë mbi të gjithë klubin për të arritur suksesin më të madh të mundshëm. Ai po i shtyn shokët e tij të ekipit përpara në stërvitje dhe ndeshje. Jashtë fushës, ai madje ka ushtruar presion mbi drejtorin sportiv Maks Eberl (51), duke shprehur publikisht dëshirën e tij për nënshkrime të reja.
SI NË PËRRALLA – Kampi bazë i kampionëve të Gjermanisë në Orlando, në mjediset e “ESPN Wide World of Sports Complex” direkt në “Disney World”, siguron një faktor të shkëlqyer për t’u ndierë mirë në një flluskë ëndërrimtare, por të mbrojtur.
JETA FAMILJARE – Fakti që lojtarët, për një herë të vetme, mund të sjellin partneret dhe fëmijët e tyre në grumbullimin e ekipit e ka bërë atmosferën edhe më të pozitive.
SKEMA DHE RRUGËTIMI – Rruga e Bajernit drejt finales së mundshme duket e realizueshme dhe më pak e ndërlikuar. Nëse ata fitojnë ndeshjet e tyre të mbetura në grup kundër Boka Xhuniors (21 qershor) dhe Benfika (24 qershor), ata do të përballen me skuadrën e vendit të dytë në grupin D (Çelsi, Flamengo, Los Anxhelos FC ose Tunis) në 1/8 e finaleve. Edhe në çerekfinale, nuk ka gjasa të ketë ndonjë rival “big” (më së shumti Atletiko e Madridit). Vetëm në gjysmëfinale, Bajerni pritet të ketë rivalë të denjë për titullin, Interi ose Mançester Sitit.