Nuk e kemi parë ende potencën e të plotë sulmuese të Viktor Gyokeres tek Arsenali. Mirëpo shoku i tij i skuadrës, Ben Uhajt e ka përshkruar suedezin si një “përbindësh”. Sulmuesi është prej disa javësh pjesë e Arsenalit, pasi u transferua nga Sporting Lisbona për 63.5 milionë sterlina dhe deri më tani ka shënuar dy gola.
Uhajt ka qenë shok skuadre me Gyokeres edhe në ekipin e të rinjve të Brajton dhe është i bindur se do të ketë një qëndrim të suksesshëm në Londër. “Ai është një bishë e vërtetë, një përbindshëm! Viktor jeton për golat! Ai është një kërcënim i vazhdueshëm – deklaroi mbrojtësi për faqen zyrtare të Arsenalit -.
Nuk duhet t’i bësh pengesë kur luan kundër tij, sepse ai thjesht do të të largojë nga rruga e tij! Ai ka një prani kaq të fortë dhe mendoj se fakti që ai ka luajtur më parë në futbollin anglez do ta ndihmojë shumë. Shikon shumë njerëz që vijnë në Premier Ligë dhe nuk e kanë idenë se si është.
Dhe kjo mund të jetë e vështirë për ta. Por ja që ai është mësuar me të. Ai ka luajtur te Koventri. Pra, ai e ka parë sesi është, ai e di se çfarë të presë nga mbrojtësit. Sinqerisht, nuk mund të them asgjë të keqe për të. Ai është një nga lojtarët më profesionistë që kam pare. Viktor është në të njëjtin nivel me Martin Odegaard në këtë drejtim”, përfundoi Uhajt.



