Medon Berisha luajti mbrëmë ndeshjen e tij të 28-të me fanellën e ekipit të parë të Leçes. Por këtë ndeshje nuk do ta harrojë lehtë, pasi klubi i dha atij shiritin e kapitenit në ndeshjen e Kupës ndaj Milanit në “San Siro”.
Një përgjegjësi, por edhe një mesazh i qartë për djaloshin i cili mban numrin 10, se ai është e ardhmja e këtij klubi në akademinë e të cilit ka qenë padyshim një nga yjet e viteve të fundit. Pas ndeshjes ku Milani fitoi me shifrat 3-0, Berisha foli shkurtimisht për sfidën, si edhe për faktin se me goditjen e tij të dënimit, ishte i vetmi nga skuadra e Leçes që ia doli të gjuante në portën e kuqezinjve.
“Në 10-15 minutat e parë mund të bënim më shumë. Por më pas, që nga momenti i kartonit të kuq, në “San Siro” kundër Milanit që po bën mirë, është e vështirë. Por gjithmonë mund të bëhet më shumë.
Goli me goditje dënimi? E provova. Shpresoja te një devijim. Nuk e gjuajta mirë, por e bëra provë”, tha Berisha pas ndeshjes.



