Napoli u ndal në tentativën e parë për të “fluturuar” i vetëm në krye të kampionatit dhe doli i mundur nga San Siro, duke regjistruar humbjen e parë të sezonit.
Skuadra e Alegrit tregoi se ishte më e organizuar dhe më e qartë në idetë e saj, duke shfrytëzuar dobësitë e Napolit, sidomos në fazën mbrojtëse.
Konte, i detyruar nga mungesat e rëndësishme, hodhi në fushë lojtarë pa përvojë si Marianuçi dhe Gutierrez, të cilët vuajtën presionin e një skene të madhe.
Gabimet e tyre u shfrytëzuan menjëherë nga Milani, që goditi fillimisht pas një lëvizjeje të gabuar të Marianuçit dhe më pas nga krahu i djathtë i pambrojtur, duke dyfishuar rezultatin.
Për një trajner si Konte, që e ka bazuar gjithmonë suksesin te soliditeti mbrojtës, kjo ishte një goditje e rëndë. Napoli u përpoq të reagojë, por mungesa e Lukakut në sulm kufizoi peshën përpara dhe të vetmet rreziqe reale erdhën nga goditjet individuale. Edhe figura e De Brojne, lojtari më i bujshëm i merkatos, u bë çështje. Belgu ka shënuar tre gola, por nuk po arrin të marrë në dorë lojën e skuadrës. Për më tepër, gjatë zëvendësimit kundër Milanit, ai nuk e fshehu pakënaqësinë, duke nxitur tensione të hapura me Conten.
“Shpresoj që të ishte i mërzitur për rezultatin – nëse ishte për ndonjë gjë tjetër, ka zgjedhur personin e gabuar”, tha trajneri në konferencën pas ndeshjes, duke dërguar një mesazh të qartë. Nga pankina, megjithatë, erdhën sinjale pozitive. Neres, i futur në pjesën e dytë, solli energji dhe fantazi, duke qenë dy herë pranë golit të barazimit. Një herë ia mohoi shtylla, një herë portieri Menjan. Braziliani është ndër më të penalizuarit nga sistemi i ri i Kontes, por ndeshja e fundit ka treguar se ai meriton më shumë hapësirë nga minuta e parë. Pavarësisht humbjes, Napoli mbetet në krye, i barazuar me Milanin dhe Romën. Sfida e radhës do të jetë edhe më e rëndësishme: në Champions League kundër Sporting, pas dështimit me Siti-n, çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë. Konte e di se për të shëruar plagët e Milanit, duhen përgjigje të menjëhershme në Evropë.



