Zv.drejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise ka zhvilluar sot një takim në SPAK me Dumanin.

Ambasada e SHBA përmes një postimi në rrjetet sociale ka ndarë foto nga takimi. Ambasada shkruan se Altin Dumani vendosi standardin për bashkëpunim mes SHBA dhe Shqipërisë.

Por në fotot e postuara përveç Altin Dumanit, shihet edhe një foto me kandidatin që garon për kreun e ri të SPAK Klodian Braho, duke treguar kështu mbështetje për Brahon.

Përballja me krimin ndërkombëtar kërkon një angazhim të përbashkët. Sot, Zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore Lyn Debevoise vizitoi SPAK-un për të shprehur vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për punën e Kryeprokurorit të Posaçëm Altin Dumani me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për t’u përballur me rrjetet e paligjshme që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të luftuar korrupsionin që pengon kompanitë dhe investitorët amerikanë.

Përpjekjet e z. Dumani vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, i cili shpresojmë se do të vazhdojë me pasardhësin e tij”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA.

Në një mbledhje që do të mbahet ditën e nesërme Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, që do të zëvendësojë Altin Dumanin.

4 kandidatët për drejtimin e SPAK janë:

1.Adnan Xholi

2. Doloreza Musabelliu

3. Elvin Gokaj

4. Klodian Braho

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re