
Zv.drejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise ka zhvilluar sot një takim në SPAK me Dumanin.
Ambasada e SHBA përmes një postimi në rrjetet sociale ka ndarë foto nga takimi. Ambasada shkruan se Altin Dumani vendosi standardin për bashkëpunim mes SHBA dhe Shqipërisë.
Por në fotot e postuara përveç Altin Dumanit, shihet edhe një foto me kandidatin që garon për kreun e ri të SPAK Klodian Braho, duke treguar kështu mbështetje për Brahon.

“Përballja me krimin ndërkombëtar kërkon një angazhim të përbashkët. Sot, Zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore Lyn Debevoise vizitoi SPAK-un për të shprehur vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për punën e Kryeprokurorit të Posaçëm Altin Dumani me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për t’u përballur me rrjetet e paligjshme që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të luftuar korrupsionin që pengon kompanitë dhe investitorët amerikanë.
Përpjekjet e z. Dumani vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, i cili shpresojmë se do të vazhdojë me pasardhësin e tij”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA.
Në një mbledhje që do të mbahet ditën e nesërme Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, që do të zëvendësojë Altin Dumanin.
4 kandidatët për drejtimin e SPAK janë:
1.Adnan Xholi
2. Doloreza Musabelliu
3. Elvin Gokaj
4. Klodian Braho



