Të hënën në mbrëmje, më 27 prill, Matt Damon dhe Ben Affleck bënë një gjest të pazakontë duke vendosur kapele të ekipit San Francisco Giants në nder të të ndjerit Robin Williams, i cili u nda nga jeta në vitin 2014 në moshën 63-vjeçare.

Dy yjet u nderuan nga organizata jofitimprurëse për shëndetin mendor Bring Change to Mind, bashkëthemeluar nga Glenn Close, gjatë eventit “Revels & Revelations”. Në një moment veçanërisht prekës, ata morën çmimin “Robin Williams Legacy of Laughter Award” nga fëmijët e aktorit, në vlerësim të kontributit të tyre dhe fuqisë së rrëfimit.

Damon dhe Affleck dolën në skenë duke mbajtur në duar kapelet e Giants, në nder të Robin Williams, i cili ishte një tifoz i madh i ekipit.

  • “Le ta përfundojmë shpejt,” bëri shaka Damon ndërsa vendosnin kapelet, duke shtuar: “Është hera e parë në 55 vjet dhe është për Robin.”

Yjet e Hollywood-it kanë luajtur përkrah komedianit legjendar në filmin e vitit 1997 “Good Will Hunting”, i cili i solli Williams një çmim Oscar si aktori më i mirë në rol dytësor. Damon tregoi para publikut se kishin kaluar të njëzetat e tyre duke u përpjekur ta realizonin filmin.

  • “Në momentin që Robin lexoi skenarin dhe vendosi t’i bashkohej projektit, të gjitha problemet tona u zgjidhën. Studio kishte komente dhe kundërshtime të vazhdueshme, por sapo ai tha: ‘Jo, skenari më pëlqen pikërisht kështu siç është’, qëndrimi i tyre ndryshoi menjëherë… kështu arritëm ta realizonim filmin,” shtoi ai.

Affleck më pas theksoi se pranimi i këtij çmimi është “mënyra jonë për t’i thënë ‘faleminderit’ Robin-it, njeriut që pati ndikimin më të madh në jetët tona profesionale, pa asnjë dyshim, dhe pa të cilin shumë nga ëndrrat tona nuk do të ishin bërë kurrë realitet, të paktën jo në këtë mënyrë”.

Ai shtoi gjithashtu:

  • “Në të njëjtën kohë, mendoj se nuk është rastësi që ky film flet për një të ri që përballet me problemet e shëndetit mendor dhe ka nevojë të gjejë dikë me të cilin të flasë dhe të ndihet i sigurt. Mendoj se është shumë domethënëse. Besoj se ai do të ndiente një krenari dhe gëzim të madh duke u nderuar në këtë kontekst.”

Në event morën pjesë, ndër të tjerë, Glenn Close, Sarah Silverman dhe Chris Martin. Sipas Hollywood Reporter, mbrëmja ishte një sukses, duke mbledhur 2.5 milionë dollarë dhe duke festuar njëkohësisht 15-vjetorin e fondacionit, i cili angazhohet për ndërgjegjësimin dhe promovimin e dialogut mbi shëndetin mendor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re