Një aksident me makinë i mori jetën në mënyrë tragjike Fatjon Bunjakut. Futbollisti 22-vjeçar i AF Elbasanit ndërroi jetë sot pas mesnate, ndërsa ishte duke udhëtuar në aksin Prishtinë – Mitrovicë.

Bunjaku, i cili së fundmi ishte pjesë e AF Elbasanit në Shqipëri, gjatë karrierës së tij kishte luajtur për disa skuadra të njohura në Kosovë, ndërsa kishte qenë edhe pjesë e përfaqësueses U-21 të Kosovës, ku konsiderohej një prej futbollistëve me perspektivë.

“Ka ndërruar jetë tragjikisht Fatjon Fatmir Bunjaku. Të nderuar bashkëvendas, ju njoftojmë që mbrëmë në një aksident tragjik ka ndërruar jetë Fatjon Fatmir Bunjaku. Për ditën dhe orën e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë. Në emër të të gjithë banorëve të fshatit ju shprehim ngushëllime familjes Bunjaku”, thuhet në njoftim.

Në një reagim në kanalet e komunikimit, AF Elbasani shpreh ngushëllimet për familjen dhe miqtë, duke thënë se klubi humbi më shumë se një lojtar.

‘Sot, familja e madhe e klubit tonë humbi jo vetëm një lojtar, por një njeri që mbajti me krenari ngjyrat e klubit dhe la kontributin e tij në historinë tonë. Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Bunjaku, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe ta duan Fatjonin”, shkruan AF Elbasani.

Veç AF Elbasanit, Bunjaku kishte qenë pjesë edhe e Malishevës, Lirisë, Gjilanit, Trepçës, FC Phoenix dhe Zmaj Makarska (Kroaci).

Rrugëtimi i tij në futbollin profesionist nisi te Trepça, klub ku u formua dhe bëri hapat e parë në futbollin e të rriturve. Më pas provoi një aventurë në Kroaci te Zmaj Makarska, para se të rikthehej sërish te skuadra mitrovicase.

Pas periudhës në Trepçë, Bunjaku veshi fanellën e Phoenixit, për të vazhduar më pas karrierën te Liria e Prizrenit. Më pas ai iu bashkua Gjilanit, ndërsa vetëm pak muaj më vonë transferohej te Malisheva. Paraqitjet e mira në Superligën e Kosovës bënë që në verën e vitit 2025 të transferohej te AF Elbasani në elitën e futbollit shqiptar ku sezonin e fundit luajti 32 ndeshje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re