Këto orë në rrjetet sociale po diskutohet shumë penalltia e dhënë në favor të Francës në ndeshjen kundër Marokut. Tema nuk ishte nëse ishte vendim i drejtë apo jo, sepse ishte penallti e pastër, por koha që kaloi që nga momenti kur arbitri Tello e akordoi, me Mbappe që priti thuajse 5 minuta dhe që për francezët ishte motivi që sulmuesi i Realit të Madridit e gaboi gjuajtjen e tij.
Kështu mendon edhe Erling Haaland i cili teksa po shikonte ndeshjen e tha fjalën e tij në një postim në Snapchat. ‘Nuk mund të pritet 5 minuta për të ekzekutuar një penallti’-shkruante ylli norvegjez i Manchester City në postimin e tij, fjalë këto që gjetën mbështetjen e trajnerit të Francës, Didier Deschamps.
‘Jam dakord me Haaland-tha Deschamps në konferencën për shtyp-unë nuk flas spanjisht dhe arbitri ishte argjentinas. Kylian ishte përgatitur për ekzekutimin e penalltisë, por nuk është një situatë e lehtë. Është e nevojshme të përshtatesh dhe kjo mund të të bezdisë’.
Ai që shpjegon motivin e pritjes së gjatë ishte vetë Mbappe.
‘Gjuajta penalltinë dhe ai e priti. Nuk gjuajta mirë. Pastaj, ishte e komplikuar sepse kishte një keqkuptim-tha Mbappe-arbitri më tha që ishte penallti. E pyes nëse kontrolli u krye. Më tha që po. Kështu nga ai moment lëvizëm me Ousmane që më dha topin. Por më pas arbitri erdhi edhe njëherë te unë kur po nisa të përqendrohesha për të më thënë se nuk ishte penallti. E rimora topin në dorë, e vendosa sërish në tokë dhe më thanë që ishte penallti. Pastaj më tha të prisja se kishte një aksion të para 2 minutave që duhej kontrolluar. U shpërqendrova. Mendova shumë skenarë sesi të përqendrohesha për një penallti, nuk e di se sa zgjati, por është futbolli i ri me sistemin VAR. Duhet të përshtatemi’.



