Luka Modrić do të vazhdojë të jetë pjesë e Milanit edhe për një tjetër sezon. Klubi kuqezi ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës së mesfushorit kroat deri më 30 qershor 2027, duke i dhënë fund çdo dileme për të ardhmen e tij.
Në njoftimin zyrtar, Milani vlerësoi kontributin e veteranit kroat, duke theksuar se ai është kthyer në një pikë referimi për mesfushën falë eksperiencës, cilësisë dhe lidershipit të treguar si brenda, ashtu edhe jashtë fushës.
“Luka ka vendosur eksperiencën dhe cilësinë e tij në shërbim të skuadrës. Një nga futbollistët më të mëdhenj dhe më përfaqësues në futbollin botëror, ai do të vazhdojë rrugëtimin me fanellën kuqezi me ambicien për të arritur objektiva të rinj,” thuhet në komunikatën e klubit.
Gjatë sezonit të kaluar, Modrić regjistroi 37 paraqitje dhe shënoi dy gola me fanellën e Milanit, ndërsa edhe në sezonin e ri do të vazhdojë të mbajë veshur fanellën me numrin 14.
Me këtë rinovim, Milani siguron vazhdimësinë e një prej lojtarëve më me përvojë në skuadër, duke besuar se 40-vjeçari do të ketë sërish një rol të rëndësishëm në objektivat e klubit.
