Skip to content

“Ciao Capitano” – Milan dhe Italia i japin lamtumirën Franco Baresit, emocion dhe lot për kapitenin legjendar

800 0 02a18f5d38afb51e224256104351e657

Qindra tifozë u mblodhën përpara Bazilikës së Shën Ambrozit në Milano që dy orë para fillimit të ceremonisë mortore për t’i dhënë lamtumirën e fundit legjendës së Milanit, Franco Baresi.

Flamuri kuqezi me numrin 6, u ngrit mes duartrokitjeve dhe koreve të tifozëve, të cilët këndonin: “Ka vetëm një kapiten”.

Mes turmës spikatnin fanellat historike të Milanit, përfshirë ato me sponsorin Mediolanum, të gjitha me numrin 6 në shpinë.

Një banderolë e madhe e vendosur në një ndërtesë përballë bazilikës mbante mesazhin: “Legjendë e pavdekshme, flamur i papërsëritshëm që nuk do të ndalojë kurrë së valëvituri. Mirupafshim, Kapiten.”

Në ceremoni morën pjesë edhe shumë ish-futbollistë të Milanit, mes tyre Mauro Tassotti, Alberico Evani, Filippo Galli, Nevio Scala, Angelo Colombo, Marco Simone dhe Riccardo Montolivo. I pranishëm ishte edhe administratori i ri i deleguar i klubit, Massimo Calvelli.

Një pritje e jashtëzakonshme me duartrokitje iu rezervua Paolo Maldinit dhe Marco Van Bastenit në hyrje të bazilikës. Bashkë me ta mbërritën edhe Mauro Tassotti dhe Pietro Paolo Virdis.

Ish-portieri i Milanit, Giovanni Galli, kujtoi një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së Baresit:

“Të gjithë i njihni arritjet sportive të Franco Baresit dhe gjurmën që ai ka lënë. Më kujtohet finalja e Champions League e fituar në Barcelonë. Nuk kishte ceremoni madhështore me fishekzjarre. Presidenti i UEFA-s dorëzoi vetëm kupën. Kur Franco e mori, unë e ngrita në krahë dhe kam ende një fotografi të atij momenti. Ishte i lumtur sepse, pas shumë vuajtjesh me Milanin, e kishte rikthyer klubin aty ku e meritonte. Ishte krenar që u kishte dhuruar një gëzim të madh 95 mijë tifozëve që kishin udhëtuar në Barcelonë.”

Abodi: “Do të mbetet i dashur për të gjithë”

Ministri italian i Sportit, Andrea Abodi, vlerësoi figurën e Baresit në hyrje të bazilikës: “Trashëgimia e Franco Baresit është ajo që ne do të dimë të ruajmë. Ai na la mesazhe të rëndësishme, duke bashkuar gjithmonë klasin dhe stilin me thjeshtësinë në sjellje. Përkatësia e tij ndaj familjes së Milanit, por edhe ndaj gjithë futbollit, është arsyeja pse ai është i dashur nga të gjithë dhe jo vetëm nga tifozët e Milanit.”