Një dokumentar i ri i Prime Video ka zbuluar prapaskena të pathëna nga dy sezonet e fundit të Pep Guardiolës te Manchester City, duke përfshirë një përplasje të tensionuar me Kyle Walker që e la trajnerin katalanas të emocionuar deri në lot.
Ngjarja ndodhi pas humbjes 2-0 ndaj Liverpoolit në dhjetor 2024. Në dhomat e zhveshjes, Walker u përball me Guardiolën dhe e akuzoi trajnerin se e veçonte vazhdimisht në kritikat e tij.
“Ti vazhdon ta përmendësh emrin tim, në çdo mbledhje…”, i tha Walker, duke shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si trajtohej gjatë analizave të ekipit.
Guardiola reagoi në mënyrë emocionale, duke i thënë mbrojtësit anglez se kritikat e tij nuk kishin lidhje me mungesën e dashurisë apo respektit.
“Nëse unë jam problem, duhet të ma thuash… kjo nuk do ta ndryshojë dashurinë që kam për të gjithë ju. As edhe për një sekondë. Por unë dua të luftoj. Kaq. Më fal”, u shpreh Guardiola.
Pas kësaj përplasjeje, Walker zhvilloi vetëm shtatë ndeshje të tjera me Manchester Cityn, përpara se të largohej në formë huazimi te Milani. Në vitin 2025, ai u largua përfundimisht nga klubi anglez dhe iu bashkua Burnleyt.
Dokumentari sjell gjithashtu në vëmendje një tjetër moment emocional, atë të Kevin De Bruynes. Mesfushori belg u përlot kur mësoi se Manchester City nuk do t’i ofronte kontratë të re.
