Vinicius Junior po kalon një periudhë jo të mirë sportive. Braziliani nuk po arrin të tregojë të njëjtin nivel si më parë, ndërsa mungesa e golave ka nisur të bëhet shqetësuese.
Sulmuesi i Real Madridit duket se ka humbur edhe shkëlqimin që e ka karakterizuar në sezonet e fundit. Nuk po driblon me të njëjtën lehtësi, nuk po shënon dhe nuk po arrin të jetë vendimtar siç ka qenë zakonisht.
Këto probleme u vunë re edhe në paraqitjen e tij të fundit me Brazilin. Vinicius pati vështirësi gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes, por arriti të përmirësohej dhe të shënonte nga pika e bardhë, duke gjetur rrugën e rrjetës pas një periudhe të gjatë.
Edhe trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, e pranoi pas miqësores me Australinë se Vinicius nuk po kalon momentin e tij më të mirë.
“E njoh shumë mirë dhe ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për Brazilin dhe për mua. Është gjithashtu një lojtar shumë i rëndësishëm për historinë dhe të ardhmen”, deklaroi Ancelotti.
“Nuk është në momentin e tij më të mirë, por edhe kështu ai mund të bëjë diferencën, siç bëri sot. Nuk e hapi ndeshjen dhe do të jem shumë i duruar me të”, shtoi tekniku italian.
Vetë Vinicius foli pas ndeshjes dhe pranoi se kishte nevojë për të rikthyer besimin, pasi prej disa javësh nuk kishte shënuar.
Goli i fundit i tij kishte ardhur më 26 gusht, në ndeshjen e dytë të sezonit në La Liga kundër Real Sociedad. Që prej asaj dite, braziliani kishte kaluar gjashtë ndeshje pa shënuar. Vinicius shpjegoi edhe arsyen pse mori përsipër të ekzekutonte penalltinë.
“Bruno Guimarães është ai që ekzekuton penalltitë kur Raphinha nuk është në fushë. Mendova se ai donte ta gjuante, por ai e di se unë kisha nevojë për pak besim. Nuk kisha shënuar në disa ndeshje. Ishte e rëndësishme të shënoja përsëri”, u shpreh Vinicius.
Goli me Brazilin mund t’i japë një shtysë psikologjike sulmuesit të Real Madridit, i cili tashmë kërkon të rikthehet në formën që e ka bërë një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës madrilene.
