Rusia ka protestuar zyrtarisht pranë NATO-s për atë që e konsideron si një linjë “aventuriere dhe të papërgjegjshme” të Aleancës, duke paralajmëruar për rritjen e rrezikut të një përplasjeje të drejtpërdrejtë ushtarake.
Përmes ambasadës së saj në Belgjikë, Moska i ka dërguar një letër NATO-s lidhur me ushtrimet që, sipas palës ruse, synojnë simulimin e “izolimit” të enklavës së Kaliningradit.
Rusia paralajmëron se zhvillime të tilla “rrisin ndjeshëm rreziqet e një konfrontimi të drejtpërdrejtë të armatosur”. Në deklaratën e ambasadës thuhet gjithashtu se Moska është e gatshme të përdorë “të gjithë arsenalin e armëve që ka në dispozicion” për të mbrojtur territorin e saj.
“Rusia është gati të përdorë të gjithë arsenalin e armëve që ka në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj”, thuhet në dokument.
Sipas agjencisë italiane Ansa, Ambasada ruse akuzon NATO-n se po zhvillon një “fushatë informacioni në shkallë të gjerë” për të nxitur atë që e quan mitin e “kërcënimit rus” dhe për të përhapur informacion të pasaktë mbi pretendimet se Moska mund të sulmojë një prej shteteve baltike deri në vitin 2029 ose edhe më herët.
“Po njoftohen plane për evakuimin ndërkufitar të popullsisë ‘në rast të një krize serioze’ dhe në të njëjtën kohë, deklaratat e përsëritura nga udhëheqësit e vendit tonë në lidhje me mungesën e qëllimit ose arsyes për të filluar veprime ushtarake po injorohen plotësisht”, thuhet në deklaratë.
Sipas ambasadës ruse, të njëjtin trajtim ka marrë edhe propozimi i Moskës drejtuar vendeve të NATO-s për vendosjen me shkrim të garancive të ndërsjella të sigurisë.
“Në kontekstin e qëndrimit agresiv të ndjekur nga udhëheqja e bllokut dhe shtetet anëtare, Ambasada i ka komunikuar orientimet tona parimore Sekretariatit Ndërkombëtar të NATO-s dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme belge”, vijon dokumenti.
Moska u ka kërkuar vendeve anëtare të Aleancës që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e mëtejshme që, sipas saj, mund të përshkallëzojnë situatën.
“Ne u kemi kërkuar shteteve anëtare të Aleancës të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e mëtejshme që mund të përshkallëzojnë situatën, me qëllim që të shmanget një konfrontim në shkallë të plotë”, thuhet në deklaratë.
Nga ana tjetër, NATO ka konfirmuar marrjen e letrës së Moskës dhe përgjigjen ndaj saj. Aleanca ka dënuar kërcënimet ruse për përdorimin e forcës dhe ka ritheksuar natyrën mbrojtëse të NATO-s.
