Andrés Iniesta ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij. Dy vite pasi i dha fund futbollit të luajtur, legjenda e Barcelonës dhe e Spanjës është bërë trajner i Gulf United në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në një intervistë për Mundo Deportivo, Iniesta flet për fillimet e tij si trajner, filozofinë e lojës, Barcelonën, Lamine Yamalin, Rodrin, kombëtaren spanjolle dhe mundësinë për të drejtuar një ditë klubin katalanas.
Ai foli gjithashtu për ekspozitën interaktive “Iniesta Experience: El juego interior”, e cila rikthen momentet më të rëndësishme të karrierës së tij.
Nga lindi ideja për të krijuar këtë ekspozitë interaktive mbi karrierën tuaj?
Ka kohë që mendojmë për gjëra që mund t’u sjellin diçka njerëzve dhe që mund të ndahen me ta. Në këtë rast, bëhet fjalë për historinë time, për gjërat që kam përjetuar gjatë karrierës dhe jetës sime, në një mënyrë interaktive. Ka momente speciale që njerëzit mund t’i rijetojnë ose t’i ndajnë. Është një projekt shumë i veçantë dhe i bukur. Shpresoj, mbi të gjitha, që njerëzve t’u pëlqejë.
Kush qëndron pas këtij projekti?
Në fund është një punë ekipi. Kam fatin të kem pranë vetes prej shumë kohësh një ekip që njeh praktikisht gjithçka për jetën time, madje ndoshta edhe gjëra që unë vetë nuk i di. Është një punë shumë e bukur e të gjithëve, secili me rolin e tij. Jam krenar dhe i lumtur që më në fund projekti doli në dritë, sepse nuk është e lehtë të bashkosh gjithë këto aspekte fizike dhe emocionale.
Tani keni nisur një kapitull të ri si trajner. Çfarë ju pëlqen më shumë në këtë profesion?
Pak a shumë më pëlqen gjithçka. Më pëlqen të punoj me ekipin tim, të jem në dhomën e zhveshjes, me lojtarët. Më pëlqen puna në grup, të shohësh gjërat që po bën, gabimet që bën dhe ato që duhet të korrigjosh. Gjithmonë je duke menduar dhe kjo është një sfidë shumë e bukur.
Në fund je duke konkurruar, ke performancën, menaxhimin e shumë situatave me lojtarët dhe stafin. Më pëlqen shumë dhe çdo ditë është diçka e re.
Kur do të mund të jeni trajner i një klubi pa kufizime në aspektin e licencës?
Është një proces që po e vazhdoj. Tani kam licencën A për të kaluar te Pro. Në tetor filloj fazën e fundit, atë të Pro-së. Pastaj do të vazhdojmë të shohim se çfarë do të ndodhë.
Si dëshironi të luajë një ekip i drejtuar nga Iniesta? Si Barcelona e Rijkaardit, e Guardiolës apo e Luis Enriques?
Varet nga vendi ku je dhe nga lojtarët që ke. Në fund janë lojtarët ata që mund të bëjnë të mundur një sistem apo një tjetër.
Nga gjithçka që kam mësuar dhe përjetuar, dua që ekipi im të ketë kontrollin e lojës. Çelësi është interpretimi që bëjnë lojtarët në çdo moment dhe në çdo situatë.Mund të nisësh me një sistem, por gjatë gjithë kohës gjërat ndryshojnë. Ajo që të shërben për një ndeshje ose për një moment të caktuar, dhjetë minuta më vonë mund të mos të shërbejë më. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme të kesh një staf që të ndihmon të marrësh vendimet më të mira.
