Ka mbrëmje që futbolli nuk i harron. Dhe kjo e 6, apo orët e para të mëngjesit të 7 tetorit 2026-të me orën tonë lokale, në Buenos Aires është një prej tyre.
Lionel Messi po luan sonte ndeshjen e fundit me fanellën e Argjentinës. Përballë është Benini, në Monumental, por kundërshtari dhe rezultati duket se janë kthyer në detaje përballë asaj që po ndodh jashtë dhe brenda stadiumit. Është fundi i një kapitulli 21-vjeçar të një prej karrierave më të mëdha që ka njohur futbolli. Dhe emocionet e Messit nisën shumë përpara se topi të rrotullohej.
Lotët në autobusin e Argjentinës
Gjatë rrugës nga qendra stërvitore e Ezeizës drejt Monumental, autobusi i kombëtares u rrethua nga mijëra tifozë. Flamuj bardhekaltër, fishekzjarre, këngë dhe një eskortë spontane tifozësh shoqëruan skuadrën drejt stadiumit. Kamerat ajrore dhe pamjet nga autobusi kapën një moment që po bën xhiron e botës: Messi duke fshirë lotët dhe duke u përpjekur të përmbajë emocionet.
I ulur pranë shokëve të skuadrës, kapiteni i Argjentinës nuk mundi ta fshehë atë që po ndodhte jashtë. Për herë të fundit po udhëtonte drejt stadiumit si futbollist i kombëtares. Një karrierë që nisi në vitin 2005 po arrin pikën e fundit.
Monumental i tejmbushur për numrin 10
Rreth 85 mijë tifozë pritet të jenë në Monumental për lamtumirën e kapitenit. Biletat u shitën në kohë rekord, ndërsa AFA e ka konceptuar mbrëmjen si shumë më tepër sesa një miqësore. Vetë AFA e ka quajtur eventin “La noche que nadie quiere que termine” – “Nata që askush nuk dëshiron të përfundojë”. Në stadium janë përgatitur koreografi, homazhe, muzikë live, shfaqje me dronë dhe fishekzjarre, ndërsa pas ndeshjes pritet edhe ceremonia e veçantë e lamtumirës. AFA kishte ftuar gjithashtu kampionët e botës të vitit 2022 dhe familjet e tyre për të qenë pjesë e kësaj nate.
Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes pritet të vijë në minutën e 10-të të ndeshjes. Loja do të ndërpritet për pak çaste, ndërsa tifozët në Monumental do të ndezin dhe hedhin fishekzjarje në një homazh spektakolar për Lionel Messin dhe fanellën me numrin 10. Stadiumi pritet të kthehet në një det dritash dhe ngjyrash bardhekaltër, duke shënuar në mënyrë simbolike një nga momentet më të paharrueshme të lamtumirës së kapitenit.
