Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin brazilian. Babai i sulmuesit të Santos, Rony, është vrarë me thikë nga një grua 48-vjeçare, ndërsa motivi i dyshuar i krimit lidhet me një konflikt për pagesën e një takimi intim.
Viktima, 72-vjeçari Marigerson Barbosa Carneiro, u vra në qytetin Terra Alta, në shtetin Pará të Brazilit. Sipas mediave vendase, gruaja është arrestuar nga policia menjëherë pas ngjarjes, ndërsa dyshohet se ka pranuar autorësinë e krimit.
Gjatë marrjes në pyetje, ajo ka pretenduar se rreth një javë më parë kishte kryer marrëdhënie seksuale me pagesë me babanë e futbollistit, por ai nuk i kishte dhënë shumën për të cilën kishin rënë dakord.
Një dëshmitar okular ka treguar se 72-vjeçari ishte kthyer me shpinë kur gruaja e sulmoi me thikë. Pavarësisht ndihmës së parë në vendngjarje, ai humbi jetën për shkak të plagëve të marra dhe humbjes së madhe të gjakut.
Por, përtej ngjarjes së rëndë, vëmendje ka marrë edhe gjesti i Neymarit ndaj futbollistit të Santos. Ylli brazilian i vuri në dispozicion avionin e tij privat, në mënyrë që Rony të udhëtonte drejt vendlindjes dhe të qëndronte pranë familjes në këto momente të vështira.
Klubi i Santos i ka dhënë futbollistit leje të pacaktuar për t’u larguar nga skuadra dhe për t’u përballur me humbjen e rëndë familjare.
Marrëdhënia mes Rony-t dhe të atit kishte qenë e largët gjatë fëmijërisë, pasi prindërit e tij ishin divorcuar kur ai ishte ende i vogël. Ata ishin afruar sërish rreth dhjetë vite më parë, kur futbollisti kishte nisur karrierën profesioniste.
Që prej asaj kohe, të dy kishin mbajtur kontakte dhe Rony e vizitonte të atin sa herë që kishte mundësi të udhëtonte drejt shtetit Pará.
