Skip to content

Botërori 2030 kthehet në ar, FIFA kërkon një shifër rekord nga televizionet amerikane

mundial 2026 5 sd 1024x576

Netflix hyn në garë përballë gjigantëve televizivë, ndërsa FIFA kërkon të përfitojë nga suksesi i Botërorit 2026. Për herë të parë, të drejtat në anglisht dhe spanjisht do të shiten së bashku.

FIFA përgatitet të vendosë një rekord të ri financiar me shitjen e të drejtave televizive të Kupës së Botës 2030 në tregun amerikan. Vlerësimet paraprake flasin për një marrëveshje që mund të arrijë nga 1.5 deri në 2 miliardë dollarë, duke tejkaluar ndjeshëm të ardhurat e siguruara nga edicioni i vitit 2026.

Në garën për transmetimin e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit pritet të përfshihen emra të mëdhenj të industrisë, si Netflix, Apple TV, Amazon, Disney, YouTube dhe DAZN, por edhe operatorët tradicionalë Fox, ESPN, NBC Universal dhe Paramount Skydance.

Vëmendjen më të madhe e tërheq Netflix, i cili synon të zgjerojë praninë në transmetimet sportive. Platforma ka siguruar tashmë të drejtat ekskluzive në SHBA për Kupat e Botës për Femra të viteve 2027 dhe 2031, ndërsa është një prej kandidatëve kryesorë edhe për turneun e vitit 2030.

Për Botërorin 2026, FIFA siguroi rreth 1 miliard dollarë nga tregu amerikan, përmes marrëveshjeve me Fox për transmetimet në gjuhën angleze dhe Telemundo të NBC Universal për ato në spanjisht. Këtë herë, megjithatë, organizata ndërkombëtare ka ndryshuar strategjinë: për herë të parë, të drejtat në të dyja gjuhët do të ofrohen së bashku, duke hapur rrugën për një marrëveshje të vetme ekskluzive.

Interesi i madh lidhet edhe me suksesin televiziv të Botërorit të fundit, i cili theu rekorde shikueshmërie në SHBA. FIFA synon të shfrytëzojë këtë moment, duke nisur procesin e shitjes së të drejtave vetëm katër muaj pas përfundimit të turneut të vitit 2026.

Një tjetër element interesant është se Botërori 2030 do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok, çka nënkupton orare jo gjithmonë të favorshme për audiencën amerikane. Megjithatë, kjo nuk duket se e ka zbehur interesin e transmetuesve. Ndërkohë, Netflix ka siguruar edhe të drejtat për transmetimin e Botërorit 2030 në Spanjë. Në bazë të rregullave vendase, platforma duhet të garantojë transmetimin falas të ndeshjeve të kombëtares spanjolle, gjysmëfinaleve, finales dhe të paktën një ndeshjeje në ditë.