Ernest Muçi po kthehet në një nga emrat më të përfolur në prag të merkatos së janarit. Paraqitjet e mira me fanellën e Trabzonsporit kanë tërhequr vëmendjen e dy gjigantëve italianë, Romës dhe Lazios, të cilat po shqyrtojnë mundësinë për të siguruar shërbimet e futbollistit shqiptar.
Interesi nga Italia duket se ka vënë në lëvizje drejtuesit e klubit turk. Sipas raportimeve të mediave në Turqi, konkretisht “Super Haber”, presidenti Ertugrul Dogan nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtësisht nga Muçi. Përkundrazi, drejtuesi i Trabzonsporit e konsideron shqiptarin një element shumë të rëndësishëm për skuadrën dhe nuk dëshiron largimin e tij në mesin e sezonit.
Qëndrimi i klubit turk është i qartë edhe sa i përket aspektit financiar. Trabzonspor kërkon të paktën 22 milionë euro për kartonin e futbollistit shqiptar, një shifër që tregon se sa shumë e vlerësojnë kontributin e tij në skuadër.
Një nga arsyet kryesore që Trabzonspor kërkon ta mbajë Muçin lidhet me ndikimin e tij në fushën e lojës. Numrat flasin në favor të shqiptarit, i cili ka regjistruar nëntë kontribute në gola dhe asiste në kampionatin turk, duke u kthyer në një nga lojtarët e rëndësishëm të ekipit.
Megjithatë, merkatoja e janarit mund të sjellë zhvillime të reja. Roma dhe Lazio janë dy klubet që po ndjekin situatën, ndërsa një përballje mes rivalëve kryeqytetas italianë për firmën e Muçit nuk përjashtohet.
Për momentin, Trabzonspor qëndron në pozita të forta dhe nuk dëshiron të negociojë largimin e tij. Mbetet për t’u parë nëse klubet italiane do të jenë të gatshme të plotësojnë kërkesat financiare të turqve për të rikthyer Ernest Muçin në futbollin italian.
