Akademiku serb, Radomir Saiçiq është kandidat i Listës Studentore për zgjedhjet presidenciale që janë caktuar që të mbahen më 27 dhjetor në Serbi.
Gjatë një adresimi, Saiçiq tha se do të avokojë për një Serbi sovrane, në të cilën Kushtetuta e saj do të respektohet dhe që të jetë një vend ku çdo qytetar të jetojë me dinjitet.
“Si president do t’i përmbahem autoritetit tim dhe publikisht do të shpjegoj vendimet që do marr dhe do të kërkoj përgjegjësi të njëjtë nga bartësit e tjerë të pushtetit”, tha ai.
Saiçiq kritikoi Qeverinë në largim të udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe, duke argumentuar se po synon që ta kolapsoi shteti.
“Parlamenti, Qeveria dhe gjykatat duhet që ta rifitojnë besimin e qytetarëve. Kjo vlen edhe për Presidencën. Për vite të tëra, Presidenca është përdorur për të thelluar ndarjet dhe fuqitë kushtetuese janë zgjeruar”, tha ai.
I pyetur rreth qëndrimit të tij ndaj Bashkimit Evropian, Saiçiq, tha se ai ka qëndrim pozitiv ndaj bllokut evropian dhe vlerave evropiane.
Sipas tij, duhet të bëhet përparim real drejt anëtarësimit në BE, duke u shprehur i bindur se kjo mund të arrihet me një ritëm të përshtatshëm.
I pyetur rreth qëndrimit të Qeverisë së ardhme serbe ndaj popullatës serbe që jeton në shtet fqinje, Saiçiq tha se “serbët janë një komb”, por organizimet shtetërore të shteteve të tjera duhet të respektohen.
“Detyra e Qeverisë së re duhet të jetë që të bashkojë popullatën serbe e jo të krijojë ndarje false dhe të panevojshme, siç ka bërë Qeveria paraprake në Mal të Zi dhe në [entitetin serb në Bosnje dhe Hercegovinë] Republika Sërpska dhe gjetiu”, tha ai.
Ai po ashtu tha se pret që Qeveria e re e Serbisë të formohet para afatit kushtetues. Afati për formimin e Qeverisë në Beograd është 90 ditë nga konsitituimi i Parlamentit.
Saiçiq është profesor i rregullt në Fakultetin e Kimisë të Universitetit të Beogradit dhe anëtar i rregullt i Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU).
Ai publikisht mbështeti protestat e udhëhequr nga studentët, të cilat me kalimin e kohës u shndërruan në një lëvizje që në fokus ka luftën kundër korrupsionit dhe ndryshimet sistemike.
Protestat në Serbi nisën pas vdekjes së 16 personave nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor 2024.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit, Lëvizja Studentore u bë forca kryesore politike në Serbi, duke i dhënë fund pushtetit 14-vjeçar të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.
Fitoren në natën e zgjedhjeve të Listës Studentore, i pari e njoftoi Radomir Saiçiq.
“Kjo fitore nuk është trofe personal i askujt, ajo u përket të gjithëve ne. Por, e dashur Serbi, fitorja e madhe sjell me vete edhe përgjegjësi të madhe”, tha Saiçiq më 25 tetor.
Ai në natën e zgjedhjeve deklaroi edhe se “asnjë forcë nuk mund ta mposhtë një popull që ka vendosur ta marrë fatin e vet në duart e veta”.
