Tërmeti i 26 nëntorit, përveç humbjes së jetëve, la pas edhe shumë ndërtesa të shembura dhe objekte në rrezik shembje, sidomos në qytetin e Durrësit.

Në gërmadhat e tyre humbën jetë njerëzish nga fëmijët e deri tek të
moshuarit. Shumë prej tyre nuk arritën që të nxirreshin në kohë nga
gërmadhat dhe humbën jetën. Pavarësisht këmbënguljes dhe punës së
palodhur të bërë nga skuadrat e shpëtimit.

Gati një javë pas tërmetit, ku shumë banorë kanë humbur jo vetëm familjarë por edhe banesa apo investimin e një jetë të tërë, prokurorinë duket sikur e ka zënë gjumi. Identifikimi i objekteve të shembura është shumë e lehtë për t’u bërë, por ende nuk ka asnjë të ndaluar për t’u pyetur në lidhje me ngjarjen, asnjë ndërtues, drejtues teknik, kryetar bashkie apo koluaudatorë që kanë firmosur lejet e ndërtimit apo relacionet e këtyre lejeve, nuk është ndaluar.

Një ndër këto objekte, ishte dhe hotel “Vila Palma” në zonën e
plazhit Durrës që u shemb gjatë tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.
Në rrënojat e këtij hoteli humbi jetën një person, ndërsa skuadrat e
shpëtimit pas shumë orësh kërkime fatmirësisht arritën që të nxjerrin që
aty të gjallë tre persona.

Hotel “Vila Palma” është ndërtuar që në vitin 2005. Leja e ndërtimit
për këtë objekt, fillimisht 4 katësh është dhënë në vitin 2005 nga ish-
Komuna Rrashbull.

Investitor ishte Dëshira Qato, në atë kohë drejtore Urbanistike.
Sipas dokumentacionit rezulton se në vitin 2008 është marrë një tjetër
shtesë kati, lokal plus papafingo. Sot pavarësisht se leja është dhënë
për 6 kate, nuk ka asnjë informacion nga Njësia Administrative Rrashbull
për dy kate të tjera shtesë, të cilat mendohen të jenë bërë pa leje.

Fiksi u interesua pranë kësaj njësie ku intervistoi edhe inxhinierin
Pasho Beqiri, i cili në atë kohë ka qenë edhe sekretar i KRRT-së. Kohë
kur është dhënë leja e ndërtimit. Sipas tij dhe dokumentacionit që
rezulton në ish komunë, leja e ndërtimit është dhënë në bazë të një
relacioni të sjellë nga ndërtuesi dhe investitori. Ai pretendon se janë
pikërisht këta të fundit bashkë me supervizorin dhe kolaudatorin që
duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë tragjedi që ka ndodhur.

Ai thotë se konstruksioni metalik mund të jetë edhe shkaku i rrëzimit
të objektit, i favorizuar edhe nga katet shtesë. Gjatë shfletimit të
dokumentacionit u vu re, që nëse investitori ishte Dëshira Qato,
kolaudimi i objektit ishte bërë nga Arben Qato, bashkëshorti i saj.

Emri i Dëshira Qatos nuk është një emër i panjohur për publikun. Në
fillim të vitit 2019 ajo ishte një nga punonjësit e bashkisë Kavajë, të
cilën IKMT, e kallëzoi penalisht nën akuzën, shpërdorim detyre, si
Drejtore e Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave.

Ajo akuzohet që së bashku me një grup punonjësish duke vepruar ,apo
mosvepruar, në dhënien e lejeve të ndërtimit, apo kontrollit të
ligjshmërisë, kanë cënuar interesin publik në të paktën shtatë objekte
shumë katëshe të ngritura në territorin e Bashkisë Kavajë.

Në dosjen e ndërtimit të Vilmës Palma, rezulton se ish drejtoresha e
Drejtorisë Urbanistike Golem, dhe së fundmi Drejtore Urbanistike në
Kavajë të jetë një nga pronaret dhe investitorja e Hotel Vilma Palma.
Ndërsa bashkëshorti i saj, Arben Qato ishte kolaudatori i këtij ndërtimi
i cili ka firmosur dhe vulosur se objekti ishte ndërtuar brenda të
gjitha parametrave.

Objekt mbi të cilën u shtuan nga viti në vit katet, deri sa nuk mbajti më, dhe fuqia e tërmetit shkatërrimtar e shembi duke zënë poshtë 4 persona, ndër të cilët fatkeqësisht, njëri prej tyre humbi edhe jetën. TCH

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re