Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka thënë se vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi nuk do të tërhiqet.

“Nuk është realiste të ndërpritet njohja (pavarësia) e Kosovës dhe kjo është një çështje që është shumë e qartë”, ka thënë ndër të tjera Milatoviç në një intervistë për Nova TV.

“Ne mbështesim, siç tha ai, gjithçka për të cilën bien dakord Beogradi dhe Prishtina dhe besoj se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të ishte i rëndësishëm për të gjitha vendet e rajonit.

Në këtë kuptim, Mali i Zi dëshiron të jetë një fqinj i mirë që do të promovojë marrëdhënie të mira fqinjësore,” shtoi ai.

Ai theksoi se dëshiron marrëdhënie sa më të mira me Serbinë, duke theksuar se këtë e ka vënë në fokus edhe kur ishte ministër i Zhvillimit Ekonomik.

“Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor dhe është krejtësisht e natyrshme që vizita ime në Serbi do të jetë pas ftesës së (presidentit serb) Vuçiç”, tha Milatoviç.

Megjithatë, vizita e tij e parë do të jetë në Bruksel, sepse, siç përsëriti ai, Mali i Zi “po lëviz me të vërtetë” drejt BE-së.

Milatoviç ka theksuar se “për të është e rëndësishme që të gjitha këto vizita të rezultojnë me rezultate të prekshme për qytetarët dhe ekonominë”.

Ndryshe, Milatoviç konsiderohet si një filoserb, madje një “dorë e zgjatur” e Serbisë në Mal të Zi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re