Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka folur në emisionin “Zonë e Lirë” për marrëdhëniet mes Presidentit dhe qeverisë. Spiropali tha se nuk është një kohë dashurie, por mund të flitet për arsye. “Nuk mund të flitet për dashuri, por për arsye. Presidenti u tregua i arsyeshëm në këtë rast dhe dha kontributin e tij. Çudirat që dëgjuam ishin të keqinformuara, por Presidenti i sqaroi të gjitha”, u shpreh Spiropali

Ministrja foli dhe për reagimin më të fundit të ish-ministrit Bushati, duke e cilësuar si lëvizje për të tërhequr vëmendje. Ajo shtoi se nuk e mban mend që deputeti socialist të ketë votuar apo abstenuar kontratat e koncesionit në kohën kur ka qenë ministër.

“As në procesverbalin e Kuvendit, nuk kam parë ndonjë abstenim të Bushatit për këtë kontratë. Patjetër ka të drejtë të ndryshoj mendje, por akte vlejnë më shumë se fjalët mendoj unë. Në këtë rast, mendoj se Bushati ka bërë mirë që nuk e ka kundërshtuar. Është një kontratë e para 5 viteve, Bushatin e kam mik dhe e vlerësoj, nuk do ta kthej këtë në një debat për nevojën e përkohshme të Bushatit për t’u dalluar”, ka thënë Spiropali.

Por a do të largohet Bushati nga PS? Për këtë Spiropali dha këtë përgjigje: “As do e shtyjmë, as do e tërheqim. Z. Bushati është në PS dhe besoj aty ka ndërmend të rrijë”, ka thënë Spiropali

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re