Skip to content

A do paraqitet në GJKKO për t’u marrë në pyetje? Berisha ka një kusht: Jam i gatshëm, por…

Ish-kryeministri, Sali Berisha ka një kusht për t’u paraqitur në Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për t’u marrë pyetje.

Në një deklaratë për gazetarët nga selia blu, ish-kryeministri theksoi se “jam i gatshëm të paraqitem për tu pyetur, por nuk pranoj kurrë të shkel Kushtetutën”.

Berisha kërkoi ndryshimin e Kushtetutës, për heqjen e imunitetit të deputetit dhe çdo mase kufizuese, duke shtuar se “jam autor i ligjit që kjo mbrojtje nuk duhet të ekzistojnë”.

“Jam i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo pyetje, por kurrë për vendime antikushtetuese. Nuk e bëj absolutisht për vete, sepse unë siç e dini ju, jam njeriu që kam dërguar në parlament ligjin, i cili vendoste barazinë e plotë midis çdo zyrtari dhe qytetarit në Kushtetutë. Këtë ligj e ktheu me forcën e kartonit Edi Rama.

Jam gati ta votoj nesër. Jam gati pa asnjë hezitim. Por përse ky ligj është në Kushtetutën e vendit, unë nuk mund të pranoj dot asnjë lloj kompromisi për shkeljen e tij. Përkundrazi po konsultohem me juristë dhe të tjerë, që të ndërmarr të gjithë hapat e tjerë në mbrojtje të Kushtetutës. Mënyra ime ishte e kthjellet si kristali, jo si qielli se paska re. 

Në çdo kohë, unë jam i gatshëm të paraqitem, siç jam paraqitur kur më kanë thirrur, për t’u pyetur dhe për çdo gjë. E vetmja gjë, që nuk mund të pranoj kurrë, të shkel Kushtetutën e vendit. Të ndryshojmë Kushtetutën e vendit, jam autori i ligjit, që kjo mbrojtje nuk duhet të ekzistojë.

Nuk duhet të ekzistojë, duhet të jenë të gjithë të barabartë. Hajde atëherë të ndryshojmë Kushtetutën, por jo ta menderosim Kushtetutën. Për atë nuk jam dakord”, tha Berisha.

Ai i quajti një “piramidë trillimi” akuzat ndaj tij, teksa paralajmëroi se “do të shembet”.

“Sa kureshtje keni ju, unë besoj se me këto që u përgjigjem, jam korrekt fare. Pra, piramida e trillimit, e mashtrimit dhe e falsifikimit do të shembet. Dhe ju garantoj ju siç ka ndodhur, e bazuar gjithçka në falsifikim, fshehje dokumentesh dhe mashtrime.

Kurse, nuk pengoj asnjë proces gjyqësor, hetimor, etj. E vetmja gjë, kjo është totalisht një formalitet, por një formalitet që buron nga Kushtetuta e vendit dhe unë nuk mund ta shkel”, shtoi ish-kryeministri.

Sali Berisha është thirrur për t’u marrë në pyetje ditën e sotme (24 tetor) në orën 14:00 nga GJKKO si person nën hetim për privatizimin e kompleksit “Partizani”.

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në datën 24.10.2023, ditën e nartë, ora 14:00, ka caktuar seancën gjyqësore të marrjes në pyetje të personit nën hetim Sali Berisha, bazuar nenit 248 pika 1 të K.Pr.Penale”, – njoftoi GJKKO.

Pasditen e së hënës oficerët e Policisë Gjyqësore trokitën në apartamentin e ish-kryeministrit për t’i dorëzuar zarfin me vendimin e gjykatës, që caktoi masën “Detyrim paraqitje”. Ende nuk dihet nëse Sali Berisha ka pranuar të marrë dijeni për këtë vendim.

SEANCA PER MALLTEZIN

GJKKO la dje të pandryshuara masat e sigurisë për Jamabër Malltezin dhe Fatmir Bektashin, në lidhje me privatizimin e ishkompleksit “Partizani” në kryeqytet, duke lënë në burg Jamabër Malltezin dhe detyrim paraqitje për Fatmir Bektashin.

Avokati mbrojtës i Malltezit, Klodian Skënderi deklaroi se qëndrimi i palës së akuzuar ka qenë mohues. Skënderi u shpreh se në rastin konkret nuk ka një vepër penale dhe se personat në hetim janë në një marrëdhënie të pastër.

“Në rastin konkret nuk ka vepër penale, sepse personat nën hetim janë në një marrëdhënie civile të pastër. Nuk mund të aludohet se me anë të ligjeve apo VKM që as janë atakuar në kohë, as kundërshtuar, të pretendohet kryerja e veprave penale korrupsion.

AKUZAT NDAJ TYRE

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka vijuar hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të rregjistruar për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” kryer në bashkëpunim, “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe  “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 e 25, 245 e 287 paragrafi i dytë  i Kodit Penal.

Objekti i hetimit të këtij procedimi penal, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani”.

Në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga:

Shtetasi S. B., është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin J. M., parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M.

Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë  kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij.

Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Përfitimi i parregullt në favor të shtetasit J. M., në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit S. B., ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se është:

Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi J. M.

Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi J. M.

Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.

Shtetasi J. M. dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin S. B., pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta si më poshtë:

Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi J. M.

Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi J. M.

Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.

Shtetasi J. M. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin F. B., ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike.

Shtetasi F. B. dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar me shtetasin J. M. për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive për kryerje ndërtimesh. Nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar shtetasit J. M., dhënien e përfitimeve të paligjshme në shumën totale 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.

Gjithashtu shtetasi F. B., dyshohet se ka konsumuar edhe vepren penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal në bashkëpunim me shtetasin J. M., pasi ka mundësuar nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. realizimin e fshehjes së origjines së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të shtetasit J. M., duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.

Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, mbështetur në kërkesën datë 15.10.2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin me nr. 112 datë 20.10.2023, ka caktuar këto masa sigurimi:

“Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i Kodi Procedurës Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i Kodi Procedurës Penale, ndaj shtetasit nën hetim S. B.

“Arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodi Procedurës Penale ndaj shtetasit nën hetim J. M.

“Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i Kodi Procedurës Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i Kodi Procedurës Penale, ndaj shtetasit nën hetim F. B.

Mbështetur në kërkesën datë 15.10.2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin me nr. 410 datë 20.10.2023, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 (gjashtëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetasit J. M., 6 (gjashtë) llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) në emër të shtetasit J. M., si dhe kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të shtetasit J. M. në shoqëritë “Homeplan” shpk (45% e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100% e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fit (60% e kuotave).

 

“”