Barack Obama nuk do të pranonte një pozicion në kabinetin e Joe Biden, edhe nëse presidenti i zgjedhur do t’ia ofronte një të tillë. Kjo sepse ka frikë se mos Michelle Obama e braktisë.

Presidenti i 44-të deklaroi këtë në një intervistë me CBS Sunday Morning, dy ditë përpara botimit të librit, “A Promised Land” (“Një tokë e premtuar”), njofton The Guardian.

Biden, nënkryetari i Obama-s nga viti 2009 deri në 2017, po përgatitet të bëhet presidenti i 46-të në janar, pasi ka mundur Donald Trump në zgjedhjet presidenciale.

I pyetur se si do ta ndihmojë Biden-in, Obama tha: “Ai nuk ka nevojë për këshillën time dhe unë do ta ndihmoj në çdo mënyrë që të mundem. Por jo se po planifikoj të punoj papritmas për stafin e Shtëpisë së Bardhë apo diçka e tillë”.

I pyetur nëse do të merrte parasysh një pozicion në kabinet, Obama tha: “Ka disa gjëra që nuk do të bëja sepse Michelle do të më braktiste. Do më thoshte: ‘Si? Çfarë po bën’”.

Siç duket, çifti Obama ka mjaft gjëra të rëndësishme për të mbushur kohën. Së fundmi ata janë të zënë duke themeluar një fondacion bamirës dhe janë në punë e sipër në një produksion me Netflix.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re