Situata politike në vend, zgjedhjet vitin e ardhshëm dhe bashkëpunimi mes partive, ka qenë një tjetër pikë që është diskutuar në emisionin “Quo Vadis” në Vizion Plus të moderatores Pranvera Borakaj.

Analisti Mentor Kikia pyeti në studio se a do të bashkëpunojnë partitë e reja me njëra-tjetrën, kreu i Lëvizjes Bashkë Arlin Qori tha se është i hapur për bashkëpunim vetëm me ato parti që thonë të vërtetën.

Ndërkohë kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, u shpreh se partitë e reja duhet të jenë bashkë, dhe kjo thirrje është bërë vazhdimisht nga subjekti që ai drejton.

Pjesë nga biseda:

Kikia: Kemi tre faktorë, një mazhorancë absolute dhe solide të fuqizuar nga të gjitha drejtimet, një opozitë të coptuar, dhe një faktor tjetër disa parti të tjera. Një skenar është që deri tani është që të votojnë nja 9 parti të tjera që janë në opozitë, dhe nëse ndani votat asnjëra nuk shkon në pushtet dhe automatikisht mbetet në PS. Ju të rinjtë a keni menduar që të mund të bashkoni energjitë për tu shndërruar në një faktor më të rëndësishëm për të dalë mbi të vjetrit?

Qori: Llogaria juaj bëhet vetëm për diskutimin sa deputetë do të fusni në parlament. Unë dhe Lëvizja Bashkë do të bashkëpunojmë me kushtin që nëse nuk do të themi të vërtetën, nuk ka bashkëpunim. Nëse subjektet e tjera do ta thonë me zë të lartë të vërtetën, do të bashkëpunojmë.

Shabani: Politika nuk është çfarë bëjnë politikanët, por të marrësh krizat dhe të debatosh për zgjidhjet. Një nga krizat sot është mungesa e të rinjve. Ky është debat krizash, një pjesë që e ka kapur ekonominë për fyti, dhe po pengojnë ardhjen e pranverës. Në këtë pikë padyshim që kjo nuk është një betejë që bëhet e vetme, padyshim që bëhet bashkë. Kemi bërë thirrje para zgjedhjeve e pas zgjedhjeve që të bashkohemi me disa aktorë të rinj. Për Lëvizjen Bashkë është e hapur ftesa.

/Vizionplus.tv/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re