Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, në një intervistë për Fax news ka folur për diskutimet me Partinë Demokratike sa i takon koalicionit për zgjedhjet e 25 Prillit. Mediu tha se PR kërkon që të marrë aq mandate sa është pesha e saj elektorale.

“Pesha e çdo subjekti është shumë e rëndësishme, nuk mund të shihemi si individë, është e rëndësishme që çdo votë e republikanëve që nuk prodhojnë mandat, të shkojnë te Partia Demokratike. Pesha e secilit subjekt të përcaktohet nga zgjedhjet e kaluara. Nëse është një parti që është Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha, i cili kërkon që të marrë postin e kryeministrit. Unë kam një komunikim të vazhdueshëm me zotin Basha, bisedimet me grupin e punës vazhdojnë”, u shpreh Mediu.

Sa i takon një mundësie që të shkojë në zgjedhje së bashku me Astrit Patozin e Bindjes Demokratike, kreu i PR-së tha se në këndvështrimin e tij, e djathta ka nevojë që të jetë sa më e bashkuar, në mënyrë që të realizojë objektivin e saj për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës.

“Unë nuk kam asnjë komunikim me zotin Patozi, do ishte e mirë që të kishte një koalicion të madh së bashku, unë e vlerësoj zotin Patozi, zonjën Topalli, unë mendoj se interesi i të gjithë të djathtës është rrëzimi i qeverisë Rama dhe krijimi i një qeveriëe djathtë”, deklaroi Mediu, i cili nuk e përjashtoi mundësinë që të dalë i vetëm në zgjedhjet e Prillit, duke qenë se Kodi Zgjedhor i ndryshuar është në favor të partive të vogla.

“Padyshim që ne kemi interes që të dalim të vetëm në zgjedhje, pasi ndryshimi i kodit elektoral na jep më shumë shanse, dhe ne nëse garojmë me lista të plota rrisim peshën elektorale. Asnjë fitore nuk do të ishte e vlefshme në rast se nuk është një fitore e të gjithë të djathtës.

Unë mendoj se çdo minutë që kalon pa një marrëdhënie të qenësishme me elektoratin është e humbur dhe është në disfavor të opozitës, sa më shpejtë të nisim punën të gjithë së bashku, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Nëse ka një parti që nuk e ka përçarë ndonjëherë opozitën është Partia Republikane”, përfundoi Mediu.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re