Tashmë jemi në muajin e tretë të bashkëjetesës me koronavirusin, nderkohe qe temperaturat po rriten dita-ditës, shumë pak na ndan nga sezoni veror.

Mirëpo, për shkak të pandemisë pushimet për këtë vit janë vënë në pikëpyetje, teksa qeveria nuk e ka ende gati një plan lidhur me turizmin, ndonëse pyetjet e njerëzve rreth kësaj çështjeje rriten çdo ditë.

Sipas mjekut Pëllumb Pipero shqiptarët mund të shkojnë në plazh sepse nuk ka asnjë problem për frekuentimin e tyre pasi as uji, dhe as rëra nuk përbëjnë rrezik për infektimin e pushuesve.

I pyetur se përse Policia në qytetet bregdetare nuk i ka lejuar qytetarët të frekuentojnë plazhin, infeksionisti u shpreh se kjo ka ardhur për shkak se qeveria nuk ka marrë ende një vendim zyrtar, jo prej rrezikut.

Ai tregoi edhe vendimin e OBSH, sipas së cilit deri tani nuk ka asnjë provë se virusi transmetohet nga uji.

Mirëpo, mjeku përjashtoi mundësinë e hapjes së clube-ve apo të shkuma-party sepse nuk është e mundur ruajtja e distancimit fizik, madje rikujtoi se Korea e Jugut po përballet me një valë të dytë të koronavirusit, sepse pub-et e natës janë kthyer në një vatër infeksioni.

“Nuk ka asnjë provë që koronavirusi transmetohet nga uji. Ky është një lajm i mirë. Aq më pak plazhet tona që janë të pasur me jod e me kripë që nuk janë ambient i përshtatshëm për viruset. Edhe detet janë më të pastra tani. Nuk do t’i këshillojë shkuma party-t. I siguroj unë prindërit që asnjë e keqe nuk i gjen nga çerdhet dhe kopshtet. Frika nuk na çon askund,”-tha Pipero.

Po ashtu, mjeku qetësoi edhe prindërit e fëmijëve që do kthehen në kopshte që nga 1 qershori, duke thënë se ata nuk përbëjnë rrezik infektimi dhe se masat e përcaktuara nga ekspertët janë të sigurta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re