Drejtuesi politik i demokratëve në qarkun e Lezhës Mark Marku ka deklaruar se ende nuk është vendosur nëse PD do futet në parlament edhe pse nuk do i njohë zgjedhjet. Marku tha në Opinion se lufta mund të bëhet në disa forma, përfshirë edhe futjen në parlament ose ndjekjen në rrugë gjyqësore.

Ai u shpreh se PD mund të dalë në protesta pa dhënë më shumë detaje rreth këtij aksioni.

“Ky proces nuk mund të njihet. Unë mendoj që mund të hysh dhe në parlament. Vetëm mund të jem nga Tajvani mund të them që zgjedhjet nuk janë vjedhur. Nuk e di se çfarë vendimi do merret. Por lufta bëhet në disa forma.

Në parlament, në prokurori. Kjo nuk nënkupton të mos shkosh në parlament. Ky parlament nuk meriton të njihet. Akoma nuk ka një vendim zyrtar. As qeveria, as parlamenti dhe as pushteti lokal sot nuk është legjitim. Gjëja më normale është luftë totale për mbrojtjen e demokracisë.

Tani duhet të shkojnë në burg të gjithë ata që kanë vjedhur zgjedhjet. Besoj se do organizojë protesta dhe mendoj që duhet. Populli do i nxjerrë nga zyrat si hajdutë për leckash dhe do ketë revoltë”, deklaroi Marku.