“Komisioni i Rithemelimit do të propozojë kandidatura më të mira me profil të lartë politik, shoqëror e profesional dhe kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet primareve”. Këtë deklaroi në studion e Ditari në A2 CNN përfaqësuesi i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Ervin Minarolli.

“Jemi në proces riorganizimi që nga kuvendi i 11 dhjetorit dhe duke qenë se jemi në kontakt me to kjo na ndihmon për të ecur sa më mirë. Ne jemi në takime me bazën, ky proces ndodh njëherë në 4 vjet në PD”.

Minarolli theksoi se afati për prezantimin e kandidaturave është 24 janari dhe 30 janar zhvillohen primaret në të cilat është thirrur e gjithë anëtarësia, ku emrat e dalë prej saj do të pranohen.

“Afati i propozimeve ka filluar me 3 variante, deri në datën 24 janar presim kandidaturat dhe pas kësaj date fillon fushata për primaret. Jemi organizuar në çdo degë dhe do të vazhdojmë me të njëjtin model një anëtar, një votë për kandidatë më të mirë përfaqësues në këto zgjedhje. Nuk kemi ende emrat, nuk ka asnjë pengesë për numrin apo emrat në listë. Kemi thirrur gjithë anëtarësinë e Partisë Demokratike që të jetë pjesëmarrëse në primaret e 30 janarit. Kandidati që do të dalë, do të jetë i pranueshëm nga të gjitha palët. Ne i propozojmë anëtarësisë emrat më të mirë të mundshëm që do na çojë në fitore”, shprehet Minarolli i cili shton se “çdo veprim që është bërë nga kryetari dhe kryesia pas kuvendit të 11 dhjetorit është nul dhe nuk njihet nga ana jonë”.

Ai thekson se e mira për të fituar është që në këto zgjedhje të garojnë të gjitha forcat opozitare bashkë.

“E mira është që të dalim bashkë për të fituar. Nëse secili del me një kandidat, favorizohet kundërshtari politik. Ne ftojmë kokat e nxehta dhe nëse do të kemi mundësi që të mbledhim njerëzit për të qenë bashkë”.

I pyetur nëse Komisioni i Rithemelimit të PD-së do të dalë nën siglën e një partie të re, Minarolli përgjigjet: Ne jemi PD-ja, kemi pasur shumicën në kuvendin e PD-së, e kemi vërtetuar edhe me referendumin, sondazhet na nxjerrin si shumicë, shpresoj të mos ketë çarje të PD-së. Çarja ka ndodhur kur janë propozuar dy vende”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re