Drejtoresha e Tatimeve Dalina Ibrahimaj ka dhënë një intervistë për Fax News, ku ka bërë një përshkrim të shkurtër të detyrave që institucioni që ajo drejton kanë pasur në këtë vit që po lëmë pas, e veçanërisht me trajtimin e pandemisë, ku dhjetra biznese u prekën nga kufizimet.

“Që prej shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, administrata tatimore u vu në lëvizje, dhe vuri në dispozicion stafin e vetë për shpërndarjen e pagës së luftës, ndërtuam sistemet dhe shpërndamë në kohë të gjithë paketat. Ishin më shumë se 270 mijë individë që qenë pjesë e disa paketa ndihmëse nga ana e qeverisë. I gjithë administrimi i këtij procesi ishte shumë i vështirë, por arritëm që secili të merrte atë që i takonte”, u shpreh Ibrahimaj.

E pyetur nëse do të ketë një paketë ndihmëse për sektorin e turizmit, Ibrahimaj tha se institucioni që ajo drejton është ligjzbatues dhe nuk harton politika.

“Sektori i turizmit është një prej sektoreve që u goditën më shumë, veçanërisht për shkak të mungesës së turistëve të huaj. Sektori i turizmit ende nuk paguan tatim fitimin, si dhe mund të përfitojnë nga garancia sovrane. Ne jemi institucion ligjzbatues, dhe jo politikbërës, kështu që nuk mund të themi ne nëse do të ketë një paketë tjetër ndihmëse”, tha drejtoresha e Tatimeve. Sa i takon heqjes së TVSH-së për bizneset e vogla, dhe efekti që kjo do të ketë në biznes, Ibrahimaj tha se do të jetë minimalist.

Drejtoresha e Tatimeve u shpreh se fokusi i institucionit që ajo drejton janë bizneset e mëdhaja dhe jo ato të vogla, prandaj heqja e TVSh-së pritet që të zëvendësohet nga të ardhurat që do maksimalizohen përmes procesit të fiskalizimit.

“Administrata tatimore do të ketë informacion në kohë reale të çdo fature që do të lëshojnë bizneset, do të ketë uljen e rasteve të kontrolleve fizike, si dhe do të ndihmojë në mirëadministrimin dhe në procedurat që ndjekin bizneset për të raportuar”, tha Ibrahimaj.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re