Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar sot në një takim konsultativ të gjitha partitë politike për të diskutuar rreth procesit zgjedhor dhe ndikimin e këtij procesi në situatën epidemiologjike.

Sipas letrës të cilën Osmani u ka dërguar partive politike thuhet se ky takim do të mbahet për të diskutuar opinionin dhe rekomandimet e Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e zgjedhjeve në situatën epidemiologjike.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S., Vjosa Osmani- Sadriu ju fton në takim konsultativ për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend”, thuhet në letrën e presidentes.

Takimi do të mbahet sot, me fillimin nga ora 16:30 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Takimi i presidentes Osmani me përfaqësues të partive politike, vjen pas letrës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që ka rekomanduar mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Sipas letrës së IKSHPK-së, mbajtja e zgjedhjeve do të ndikonte në rritjen e rasteve me koronavirus e për pasojë do të rriste edhe rrezikun e rritjes së rasteve të vdekjeve.

“Meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojmë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet ndër të tjera në letrën e IKSHPK-së.

Kujtojmë se partitë opozitare në Kosovë nuk po e mbështesin kërkesën për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, të cilat janë caktuar që të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko