Mjeku Ilir Alimehmeti ka qenë i ftuar në studion e “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja, ndërsa foli për rritjen e rasteve të të infektuarve me koronavirus, por edhe një frikë e mundshme e rikthimit të karantinës.

Mjeku tha se “virusi është prezent, por jo me agresivitetin e fillimit. Sa për karantinën, nuk mendoj se duhet të ndodhë, përderisa vatra është në QSUT”.

Por, situata është gri. Kjo për faktin se në pak ditë ka pasur një rritje të numrit të rasteve, madje duke përfshirë edhe zona që janë konsideruar jeshile. Ndërkohë, vetë Tirana është cilësuar nga mjeku si “zonë e kuqe” dhe se QSUT është një vatër.

Duke bërë edhe një apel për distancimin fizik, mjeku Alimehmeti tha se “është e pamundur që mjeku të mbajë distancë me pacientin”, duke justifikuar në këtë mënyrë edhe numrin e lartë të mjekëve që janë infektuar gjatë ditëve të fundit e mbi të gjitha në pavione të ndryshme të QSUT.

“Duhet të ruajmë spitalin. Kjo është lufta jonë. Lombardia përjetoi atë krizë sepse e humbi spitalin. Në vendet e zhvilluara, spitalet kanë 2 hyrje dhe disa janë dhe me dy dalje. Kanë 1 hyrje mjekët dhe një hyrje tjetër për pacientët dhe vizitorët. Ne kemi vetëm një hyrje” – tha mjeku.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re