Irlanda ka frikë se do të pësojë humbje të konsiderueshme ekonomike kur Britania e Madhe të largohet nga BE-ja dhe të rivendosen doganat.
Pas Brexitit kufiri mes BE-së dhe Britanisë së Madhe do të kalojë në kufirin midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Pikërisht në këtë zonë sipërmarrësit irlandezë kanë përfituar deri tani nga mungesa e barrierave dhe nëse vendoset sërish regjimi doganor kjo do të sjellë vështirësi.
Për shembull birra e famshme Guinness prodhohet në Dublin, por shishet dhe kanaçet me birrë nuk mbushin aty, por në Irlandën e Veriut. Dhe kur Irlanda e Veriut si pjesë e Britanisë së Madhe të mos jetë më në BE kjo do të ketë pasoja të mëdha.
Deri tani nuk ka kufizime dhe kontrolle doganore midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës. Dublini do që kjo të mbetet kështu, sepse rreth një e pesta e të gjitha eksporteve dhe e shërbimeve irlandeze dhe dy të pestat e të gjitha ushqimeve irlandeze eksportohen në Britaninë e Madhe.
Vërtet që ekonomia irlandeze do të vuajë prej Brexitit thotë James Quinn, që ka një firmë spedicioni. Të gjitha importet dhe eksportet e Irlandës kalojnë përmes portit të Dublinit për në Britaninë e Madhe dhe nga këtu për në Evropë. Pra në të ardhmen në një zonë jashtë BE-së, pra pas Brexitit rruga për në Evropë do të zgjasë më tepër dhe do të jetë më e shtrenjtë, thotë James Quinn.
Frikë nga falimentimi
Disa qindra sipërmarrje të mesme do të preken fort prej Brexitit. Njëra syresh është Cootehill Engineering. 10 punonjësit e saj prodhojnë pajisje çeliku. Gerry McIntyre e ka ngritur këtë firmë para 5 vjetësh.
Tani ai ka frikë se prej Brexitit mund edhe të falimentojë. “Kjo fllanxhë është derdhur në Angli. Firma jonë e blen dhe e përpunon me makineritë tona. Pra ne importojmë nga Anglia dhe i eksportojmë prodhimet tona në të gjithë botën. 95% e produkteve tona hyjnë përmes kufirit anglez dhe kur eksportojmë duhet të kalojmë përsëri nga ky kufi.” – thotë ai me shqetësim.
Brexit i ashpër
Irlandezët nuk i pyeti askush kur u bë referendumi për Brexitin. Por ata do të preken më fort nga të gjithë nga Brexiti si ekonomikisht, politikisht dhe nga pikëpamja njerëzore. Për të ruajtur statusin e deritanishëm të qarkullimit pa dogana, Londra duhet të tregohet e mirësjellëshme dhe t’i ofronte Dublinit marrëdhënie tregtare, si në kuadrin e Bashkimit Doganor të BE-së dhe në Tregun e Brendshëm. Por pikërisht këto janë organizmat nga kryeministrja Theresa May dëshiron të largohet, sikurse e kërkon krahu i ashpër pro Brexitit në partinë e saj./DW

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re