CEO i Twitter-it, Jack Dorsey tha se ndalimi presidentit Donald Trump në këtë platformë sociale pas dhunës së javës së kaluar në Capitol ishte një “vendim i duhur”, por që krijoi një precedent të rrezikshëm.

“Ndërmarrja e lëvizjeve të tilla fragmenton debatin publik. Ato na ndajnë. Ato kufizojnë potencialin për shpjegim, shpengim dhe mësim. Por ata po krijojnë një precedent që unë mendoj se është i rrezikshëm: fuqia që një individ ose një korporatë ka mbi një pjesë të bisedës globale publike,” tha Dorsey në një deklaratë,.

Twitter Inc. javën e kaluar hoqi llogarinë e Donald Trump në Twitter që kishte 88 milion ndjekës për shkak të rrezikut të dhunës së mëtejshme nga mbështetësit e tij në Capitol.

Ndalimi ka shkaktuar kritika nga disa republikanë me pretendimin se ka mbytur të drejtën e presidentit për fjalën e lirë. Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi që kufizimet e mundshme të fjalës së lirë duhet të vendosen nga ligjvënësit, jo nga kompanitë private.

Në një postim të gjatë, Dorsey shtoi se ai nuk ishte krenar për ndalimin dhe se ishte një humbje në promovimin e komunikimit të shëndetshëm.

Masat në Twitter

Gjatë viteve të fundit, Twitter ka futur masa të tilla si etiketat, paralajmërimet dhe kufizimet e shpërndarjes për raste te caktuara. Dorsey tha se masat mund të kontribuojnë në një komunikim të frytshëm dhe të zvogëlojnë ndikimin e mesazheve në sjelljen e keqe.

Nga ana tjetër, edhe një zëdhënës i Snap Inc. njoftoi të mërkurën se kompania do të hiqte përgjithmonë llogarinë e Trump-it në Snapchat. Ai tha në një deklaratë se kompania kishte vendosur të ndalonte përgjithmonë llogarinë “në interes të sigurisë publike” dhe se ndalimi ishte bazuar në përpjekjet e Trump-it për të përhapur dezinformata, gjuhë urrejtjeje dhe nxitje të dhunës.

Përveç Twitter-it, llogaritë e Trump-it u bllkuan dhe në Facebook e Youtube, e Dorsey komentoi se këto lëvizje individuale të mediave sociale ishin reciprokisht inkurajuese, por “jo të koordinuara”.

“Në planin afatgjatë, grupi i precedentëve do të ketë një efekt shkatërrues në qëllimin fisnik dhe idealet e internetit të hapur,” shkroi ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re