Nga Dr.Adem Harxhi

Thomas Edisoni thoshte : “Ne as kemi filluar të kuptojmë një përqind, nga nëntëdhjetë e nëntë përqind e gjërave”.  Edhe sot, vetëm, pak njerëz e kanë kuptuar këtë të vërtetë. Shumica nga ne mendojnë se dinë shumë gjëra dhe për ta nuk ka më mistere.

Kur isha student në fakultet të mjekësisë, mendoja se dija çdo gjë në mjekësi, se për mua nuk kishte më kufij.  Të gjitha sëmundjet ishin zbuluar, të gjitha mjekimet dhe vaksinat po ashtu. Aq i bindur isha për këtë, sa ndjeja keqardhje që erdha i vonuar në këtë botë. Kisha humbur rastin të isha një Paster, një Salk, qofte dhe një Bilrot!

Një ditë, në një seminar të Neurologjisë, profesori solli për demonstrim tre të sëmurë. Salla ishte mbushur plot me studentë dhe mjekë të rinj. Profesori me një precision neuroanatomik brilant, na tregoi se njëri prej të sëmurëve vuante nga një dëmtim në trurin e vogël, i dyti vuante nga një lezion në pjesën e sipërme të palcës së kurrizit dhe i treti me një dëmtim në sektorët e poshtëm të palcës.

Leksioni ishte shumë mbresëlënës. Kur mbaroi leksioni dhe demonstrimi, njëri nga studentet ngriti dorën dhe bëri këtë pyetje:

”Pse kanë ndodhur këto dëmtime në tru? Profesori mori frymë thellë, fryu gjoksin dhe tha: ”Ky pacient vuan nga nueropathia idiopatike”. Shumë nga ne, nuk e kuptuam termin idiopatike.

Pas leksionit unë nxitova në dhomën time dhe hapa librin për të gjetur çdo të thotë idiopatike. Mësova se idiopatike do të thotë “me shkak të panjohur”.  Pra, neuropati idiopatike, do të thotë sëmundje e sistemit nervor me shkak të panjohur, asgjë më shumë se kaq.

Më vonë, gradualisht, ne kuptuam se ka akoma gjëra të tjera idiopatike. Ka sëmundje nervore të rralla idiopatike,  ka anemi hemolitike idiopatike,… ka idiopatike këtu e idiopatike atje. Është e vërtetë, mendonim ne në ato vite, që ka gjëra ideopatike, por, gjërat e mëdha, ishin të ditura.

Gjatë viteve të fakultetit unë dhe shokët e mi kemi bërë jo rrallëherë pyetje dhe profesorët, gjithmonë, na janë përgjigjur plot kompetencë. Unë, kurrë, nuk dëgjova një profesor në fakultet, ashtu sic nuk dëgjova as ndonjë mjek gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve, që të thotë: “Unë nuk e di këtë gjë.”.

Shumë gjëra nuk arrija t’i kuptoja. Për këtë, fajësoja veten time dhe për mua bëhej gjithnjë e më e qartë, se me këtë trurin tim të vogël, kurrë, nuk do të bëja dot një zbulim mjekësor. Jeta më vonë e provoi këtë. Në mos të gjithë, shumica e shokëve, bënë të tilla zbulime, shkruan  disertacione  dhe u mbushen me tituj, ndërsa, unë, nuk bëra gjë. Këto disertacione që askujt nuk i vlejtën, rusët, nga të cilët i kopjuam, i quanin “mjete për të marë ca para më shumë”.

Pas fakultetit, vitet e shumta që punova në provincë, me ndihmuan të bëja  një zbulim të madh mjekësor.  Zbulova se nuk dija asgjë për mjekësinë.  E dini si e bëra këtë zbulim? Jo, nuk mund ta dini, unë do t’u a tregoj tani.  Unë nuk e pyeta më veten “Ç’farë di unë?. Kësaj pyetjeje unë i përgjigjesha lehtë: ”Unë i di të gjitha”. Atëherë, fillova ta pyes veten ”Ç’farë nuk di unë?”. Dhe…menjëherë,  të gjitha ato kufizime që unë mendoja se i kisha kapërcyer, më dolën përsëri përpara. Kuptova se jetojmë në një botë me shumë kufizime.

Po u kujtoj një ndodhi tjetër nga ato vite. Profesori i sëmundjeve infektive, shpjegonte për meningjitin meningocoksik. Kjo ishte një sëmundje e rrallë, por e njohur mirë. Kjo sëmundje, tha profesori, prek një në çdo pesëdhjetëmijë njerëz në sezonin e dimrit. Të gjithë doktorët, po t’i pyesësh, e dinë se çfarë e shkakton këtë sëmundje. Sigurisht, meningokoku.  Kjo përgjigje duket korrekte. Në autopsinë e atyre që vdesin nga kjo sëmundje e rrezikshme ( prej saj vdesin pesëdhjetë përqind e të sëmurëve, ndërsa, njëzet e pesë përqind të tjerë mbeten të gjymtuar), kur hapet kafka, cipat që mbështjellin trurin janë të mbuluara me qelb.  Po qe se e shohim këtë qelb në mikroskop do të shikojmë zilliona mikroorganizma të vogla, që notojnë. Këto janë meningokoket.

Deri këtu çdo gjë është në rregull. Por edhe këtu ka një problem. Po t’u bëjmë kultura nga fyti, banoreve të një zone, ose një qyteti, do të gjejmë se tetëdhjetë e pesë përqind e tyre kanë në fyt meningokoke dhe këta njerëz nuk sëmuren prej meningjitit.  Si shpjegohet, atëherë, që ky bakter i cili ndodhet në 49.999 njerëz pa asnjë rrezik, vetëm, tek një i ri, shkon në trurin e tij, që më parë ka qenë i shëndoshë dhe shkakton infeksionin fatal? Përgjigja është: “Ne nuk e dimë këtë.

Po sjell edhe një shembull nga onkologjia. Të gjithë e dinë se duhani shkakton kancerin e mushkërive.  Ka njerëz, që nuk e kanë afruar tek buzët duhanin dhe janë sëmurë me kancer të mushkërive dhe kanë vdekur prej tij. Ndërsa, ka njerëz të tjerë që kanë tymosur gjithë jetën e tyre,  deri mbi nëntëdhjetë vjeç dhe nuk janë sëmurë me kancer të mushkërive. Pra, a nuk ka diçka tjetër veç duhanit, që shkakton kancerin e mushkërive?. Çfarë është kjo diçka tjetër? Përgjigja është përsëri: “Ne nuk e dimë këtë”.

Po të rreshtojmë të tilla fakte, lista është pa mbarim. Dhe.. kjo nuk ndodh, vetëm, në mjekësi dhe as, vetëm, në Shqipëri. Historia që do t’u tregoj më poshtë, ka ndodhur në Universitetin e Harvardit në Boston. Ajo ka ndodhur kur ne ishim, akoma, studentë në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë.

Mëngjes shtatori i vitit 1958. Studentet e vitit të parë në Harvard Medical School, ishin mbledhur në klasën D, për të dëgjuar adresimin e mirëseardhjes, nga Dekani i universitetit, Courtney Holmes.

“ Zotërinj” filloi ai, “ ju, të gjithë keni filluar një lundrim të gjatë në territore të panjohura. Në këto territore, që akoma nuk janë hedhur në hartë, ju do të filloni eksplorimin tuaj individual të vuajtjes dhe sëmundjes.  Dikush nga ju, që është ulur në këtë dhomë, mund të gjejë një kurë për leuceminë, për diabetin, për lupusin erythematos, për një karcinomë vdekje-prurëse, mundet edhe për ftohjen”

U dëgjuan të qeshura në sallë.

Pastaj Dekani, e uli kokën e argjendtë, sikur donte t’u tregonte studentëve se ai është thellësisht i mendueshëm. Studentët, tani, të shtangur diçka prisnin.

Më në fund ai e ngriti kokën dhe filloi të flasë përsëri me zë më të butë, një oktavë më poshtë:

“ Lejomëni të konkludoj duke zbuluar një sekret,  që është aq poshtërues për mua që e them, sa dhe për ju që e dëgjoni.”

Ai u kthye dhe shkroi diçka në dërrasën e zezë prapa tij

Vetëm dy numra,  numrin 26

Hutimi mbushi sallën.

Holmes, priti të vendosej qetësia, mori frymë dhe u drejtua nga auditori

“ Zotërinj, Unë u them ta gdhendni këtë numër në memorien tuaj. Ka me mijëra sëmundje në këtë botë, por Shkenca Mjekësore ka, vetëm, një kurim empirik për njëzet e gjashtë prej tyre. Mbetja është …hamendje, supozime”

Kjo ishte e gjitha.

Me lëvizje ushtaraku dhe me hijeshi atleti, ai kërceu nga podiumi dhe dolli jashtë nga dhoma

Turma ishte shumë e hutuar për të duartrokitur.

Mjekësia është shkencë, por është edhe art, ndaj, ka vend ku të lëvizë. Shkencat ekzakte si fizika e të tjera, që janë të mbërthyer nga ligjet, e kanë më të vështirë./Gazeta Dita

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re