Kur Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë flet për luftën kundër korrupsionit dhe mbështetjen e reformës në drejtësi, mesazhi i saj ka peshë. Por kur e njëjta ambasadë shfaqet publikisht në partneritet me një figurë nën hetim për çështje të rënda financiare, lind një kontradiktë që nuk mund të injorohet.

Në postimin e fundit, ambasada njofton me entuziazëm vazhdimin e bashkëpunimit me Spitali Amerikan për mbështetjen e Bursa Chevening për tre vitet e ardhshme.

Një nismë e bukur në letër. Por realiteti është më kompleks.

CEO i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, është nën hetim nga SPAK për çështje që lidhen me koncesione dhe tendera me vlera miliona euro. Emri i tij ka dalë në materiale hetimore dhe është përmendur në dosje që lidhen me skema të dyshuara financiare.

LEXO EDHE: Miliona euro nga koncesionet dhe tenderat/ SPAK nuk i ndahet oligarkut të Shëndetësisë, i sekuestron telefonin Klod Allajbeut

A nuk është paradoksale që një ambasadë që ka mbështetur publikisht SPAK-un dhe ka kërkuar ndëshkimin e korrupsionit në nivelet më të larta, të shfaqet sot në krah të një biznesmeni që është subjekt hetimi pikërisht nga ajo strukturë që ajo vetë promovon?

Çdo dalje publike diplomatike është një mesazh politik. Çdo shtrëngim duarsh është një sinjal. Dhe kur ai sinjal jepet në një moment kur drejtësia është në proces hetimi, perceptimi publik është i pashmangshëm: ose mungesë informacioni, ose tolerancë e papërshtatshme. (Fax News do ti drejtohet me një shkresë zyrtare për informacion Ambasadës së Britanisë së Madhe në Tiranë).

Situata bëhet edhe më problematike kur merren në konsideratë zhvillimet jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë, ku ndaj strukturave të lidhura me “American Hospital Kosova” janë ngritur akuza për dyshime mbi pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh.

Kujtojmë këtu se, z. Nicholas Abbott, ka shërbyer më herët pikërisht në Kosovë.

Edhe nëse drejtësia nuk e ka dhënë ende fjalën e fundit, fakti që ekzistojnë këto procedime është i mjaftueshëm për të kërkuar kujdes maksimal institucional.

Ambasada Britanike nuk është një aktor periferik. Ajo ka qenë një nga zërat më të fortë në promovimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri. Pikërisht për këtë arsye, standardi që duhet të aplikojë ndaj partnerëve të saj duhet të jetë më i lartë, jo më i ulët.

Mbështetja për arsimin është e mirëpritur. Por askush nuk mund ta përdorë edukimin si perde për të pastruar imazhin në kohë hetimi. Dhe asnjë institucion serioz nuk duhet të lejojë që emri i tij të shfrytëzohet për operacione të dukshme “make up”-i reputacional.

Në një vend ku besimi te drejtësia është ende i brishtë, çdo mesazh i dykuptimtë dëmton më shumë sesa ndihmon.

Dhe pyetja mbetet e thjeshtë, por e fortë: a është i vetëdijshëm ambasadori britanik  Nicholas Abbott se kujt po i jep dorën?

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re