Ajo që ka ndodhur këto kohë me tokat e zonës së Bregdetit është një skandal i madh e që në vend që të ndalet ka vijuar të majiset si një plagë e rëndë që po prodhon vetëm konfuzion e përplasje të mëdha.
Zona e bregdetit, përkatësisht territori i bashkisë së Himarës, ka qenë një subjekt në shumicën e saj i ligjit 7502, pra duke qenë Kooperativë bujqësore përpara vitit 1990, tokat e kësaj zone duhet të ishin ndarë sipas logjikës për frymë kush ka banuar deri në qershorin e vitit 1991 dhe pa të drejtë shitje dhe blerje.
Por ndër vite nga sa e sa qeveri ka ndodhur një abuzim i madh në territor, në kualifikimin e pronave në troje, terrene, toka bujqësore, e kjo ka sjellë batërdinë aktuale.
Mbivendosje, tapi të klonuara, një kaos territoresh që administrohen sa nga bashkia Himarë sa nga ente të tjera qendrore, sa nga AKKP dhe Hipotekat.
Ky lëmsh i krijuar nga zvarritjet e shumta, vendimet konfliktuale të gjykatave që shkaktuan mbivendosje po mundohet ta zgjidhë Kadastra Shtetërore me procesin e ri të regjistrimit të pronave të zonës së njohur si Perla e Shqipërisë, të pronave përgjatë bregdetit jugor, e cila është e lakmueshme nga biznesmenët, ndërtuesit e shumtë, të cilët ia vërsulur për të përfituar sa më shumë.
Procesi i marrë përsipër nga Artan Lame, si ‘kryeregjistrues’ ka nisur në një lëmsh të vërtetë dhe për tepër se ta zgjidhë, por nxit përplasje sociale mes banorëve. Dhe kjo ndodh për faktin se shumë prona janë tjetërsuar për hir të interesave të pushtetarëve apo të po ndërtuesve, të cilët po i betonizojnë ato, duke ndërtuar komplekse pa fund, edhe pse nuk e gëzojnë tapinë me vulën e Kadastrës.
Janë pikërisht këto ngatërresa dhe sherre që e kanë kthyer Kadastrën e Vlorës një institucion tmerri për zyrtarët, të cilët refuzojnë në mënyrë masive marrjen e postit të drejtorit.
Nisur nga ky ngërç, Agjencia e Kadastrës ka gjetur zgjidhje që pronat të regjistrohen nga ekspertët nga Tirana dhe jo nga “vendalinjtë”, të cilët nuk kanë “faj”, pasi kanë vepruar sipas urdhrave dhe direktave të qendrës.
Kjo ka shtuar më tepër kaosin në hipotekë, pasi njeriu i thjeshtë nuk mbaron asnjë regjistrim dhe se prona mbetet në dorë të fatit kadastral.
Kjo amulli solli dhe përplasjen në Lukovë, ku kreu u Agjencisë u prit me protesta, gjë tregon se kreu i Kadastrës është një njeri që e udhëheq konfuzioni dhe klientela, por jo ligji dhe disiplina, ndaj hipotekat janë në një kaos total.
/shqip
