Lexoni dhe shikoni tregimin e këtij njeriu të pasur. Allahu i kishte dhënë këtij njeriu pasuri të madhe, mirëpo nuk ishte falënderues ndaj të mirave të Allahut subhanehu ve teala. Shikoni se si Allahu e sprovoi këtë njeri me pasurinë e tij:
Një ditë prej ditësh kishte qenë duke ngrënë drekë me gruan e tij, në tavolinën e tyre kishte ushqime të llojllojshme, ngase ishte njeri i pasur, sikurse ne sot që përgatitim ushqim për dy apo katër persona e që ky ushqim mjafton për dhjetë apo njëzet persona!
Përderisa ishin duke ngrënë ushqim burri me gruan e tij, papritmas trokiti dera.
– Kush trokiti? – tha burri.
– Nuk e di! – ia ktheu gruaja e tij dhe tha: – Prit, unë do të shkoj dhe të shikoj se kush është te dera.
– Kush trokiti? – pyeti gruaja.
– Jam një i varfër, jam i mjerë, i uritur dhe koka më dhemb nga uria. A keni diçka nga ushqimi? – përgjigjet një i varfër duke kerkuar lemoshe.
– Është një i varfër dhe kërkon ushqim. A do t’i japim diçka nga ushqimi? – gruaja i tha burrit.
– Jo, jo, thuaji atij nuk posedojmë asgjë! – ia ktheu burri me vrazhdësi.
– Po ne kemi ushqim që na mjafton neve, të varfërve dhe të tjerëve – ia kthen gruaja (por, sot për fat të keq ka disa prej njerëzve të pasur, Zoti na ruajt, nuk dëshirojnë t’u japin asgjë të varfërve dhe të mjerëve).
– Jo, jo, largoje, largoje jashtë, si ky ka shumë! – thotë burri, dhe i varfëri kthehet nga ka ardhur.
Mirëpo filloi të ndryshojë gjendja e këtij të pasuri, filloi t’i humb pasuria e tij, derisa i humbi të gjitha, pastaj filluan edhe grindjet me gruan e tij, u shtuan mosmarrëveshjet derisa erdhi në atë gjendje dhe e shkurorëzoi gruan e tij.
Pas një kohe, gruaja e tij martohet me një burrë tjetër. Ditë prej ditësh, ai me të cilin u martua filloi të fitonte pasuri dhe bëhet i pasur .
Një ditë prej ditësh ishte duke ngrëne ushqim gruaja me burrin e saj (të dytin), i cili u bë i pasur, papritmas troket dera, dhe shkon gruaja e tij për ta shikuar se kush është. Shkoi dhe e pa se një i varfër po kërkonte ushqim, u kthye dhe i tregoi burrit të saj:
– Një i varfër po kërkon ushqim.
– Merr nga ushqimi dhe jepi, elhamdulilah (falënderimi i qoftë Allahut), kemi mjaft ushqim – ia ktheu burri.
Gruaja mori diçka nga ushqimi që kishte dhe ia jep të varfrit. Mirëpo, kthehet e hidhëruar, dhe burri i saj e pyet:
– Pse je kaq e hidhëruar?! A po brengosesh për ushqimin që ia dhe?
– Për Zotin, nuk po brengosem për këtë – ia ktheu gruaja.
– Atëherë, përse je e brengosur? Ne kemi ushqim të mjaftueshëm elhamdulilah! – i tha burri.
– A e di përse jam e brengosur?! – i tha gruaja e tij.
– Jo, nuk e di! – tha burri.
– Ai (i varfëri), i cili trokiti derën ishte burri im i parë, i cili ka qenë i pasur dhe tani troket nëpër dyer dhe kërkon ushqim – tha ajo.
– Po a e di ti se kush jam unë?! – ia ktheu burri (i dytë).
– E kush je ti? – pyeti gruaja.
– Unë jam lypësi i parë, i varfëri i parë! – u përgjigj burri.
O ti vëlla musliman, nëse ti je prej atyre që Allahu u ka dhënë pasuri, jep lëmoshë (sadaka) në rrugën e Allahut, ndihmo të varfrit para se të varfërohesh, bëhu falënderues i begative të Allahut, dhe falëndero Allahun për atë që ta ka dhënë.
Allahu subhanehu ve teala thotë në Kur’anin Famëlartë:
”Dhe (përkujtoni) kur Zoti i juaj njoftoi bindshëm: Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi im është i vështirë.”[1]

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re